Etnia në letërnjoftim, me dëshirë apo obligim?

TË FUNDIT

Ende nuk dihet nëse përkatësia etnike në letërnjoftime do të jetë sipas dëshirës së qytetarit apo e obligueshme. Kryeministri Zoran Zaev thotë se ende nuk është folur për këtë gjë, por pret që të gjendet zgjidhja më e mirë për të gjitha palët, edhe për ata që kanë rezerva.

 “Në fund dikush këtë duhet ta paguajë. Këtë do ta paguajnë qytetarët përmes dokumenteve sepse kur e bëni formularin, e bëni templejt për të gjithë dhe në fund vetëm I vendosni të dhënat, dhe në rrethana të këtilla, me shumë gjasa njerëz më profesionistë se unë do të thonë se çfarë do të thotë ajo lënie e hapësirës së lirë nëse qytetari nuk dëshiron të përcaktohet ose dëshiron të mbushet. Nëse zgjidhja është kështu e thjeshtë, pse jo?!”, deklaroi Zoran Zaev – Kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Propozim i Lëvizjes Besa është që grafa etnike të vlejë për të gjithë qytetarët, por deputeti i kësaj partie, Kastriot Rexhepi thotë se janë të gatshëm që në Komision të diskutohet për këtë çështje. Ai nuk përjashton as mundësinë që qytetari që nuk dëshiron, të mos e shkruajë përkatësinë etnike në kartë identiteti. Po si do të bëhet me përkatësitë etnike që do të mund të shkruhen, opsion do të jenë vetëm ato që janë në preambulën e Kushtetutës, apo grafa do të jetë e hapur për çdo lloj përkatësie?

 “Edhe kjo është çështje diskutimi se do të rregullohet. Ne nuk kemi asgjë kundër që t’i mundësohet çdokujt që ta shënojë përkatësinë e tij, pavarësisht nëse është në kushtetutë apo jo. Ne gjatë përpilimit kemi parë që të jetë i akorduar dhe i qëndrueshëm vetëm me Kushtetutën në atë mënyrë që të mos bie pastaj në Gjykatën Kushtetuese ligji i cili do ta kishim kaluar”, u shpreh Kastriot Rexhepi – deputet i Lëvizjes Besa.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, pa e saktësuar se kush, thotë se diplomat në vend kanë shprehur vërejtje për idenë që përkatësia etnike të qëndrojë në letërnjoftim, ndërsa e fton Zaevin që ligjin në Kuvend ta dorëzojë me flamur evropian nëse vërtetë dëshiron që etnia të qëndrojë në këtë dokument.

 “Ja le ta vendosë me flamur evropian dhe të shohë opinioni nëse është ashtu. Përndryshe, absolutisht se po, ka vërejtje serioze nga ana e një ambasadori të një shteti tonë fqinj”, potencoi Hristijan Mickoski – Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

I pyetur nëse pala greke është ajo që ka reaguar për vendosjen e etnisë maqedonas/maqedonase, kryeministri Zaev mohon, duke thënë se propozimi nuk bie në kundërshtim me Marrëveshjen e Prespës. Po ashtu partnerët e koalicionit, Lidhja Socialdemokrate dhe Lëvizja Besa, mohojnë që një gjë e tillë të kenë sjellë mosmarrëveshje rreth shënimit të përkatësisë etnike në letërnjoftime.

Për momentin ligji për dokumentet personale gjendet në Kuvend, por një bllokadë i ka dalë përpara, pasi opozitarja “E Majta” ka dorëzuar 1200 amendamente me qëllim bllokimin e procedurës. Nga Besa ende nuk tregojnë se me ç’lloj mekanizmi do ta tejkalonin këtë pengesë. Të gjitha partitë e tjera parlamentare janë shprehur se do ta mbështesin qëndrimin e përkatësisë etnike në kartë identiteti.