“Është shtuar dhuna seksuale nëpër rrjetet sociale”/Trençevska: Si institucione duhet të kemi përgjegjësi më të  madhe

TË FUNDIT

Nën organizimin e zyrës së OSBE-së u mbajt Tryeza e rrumbullakët me temë: “Parandaloni, përgjigjuni, mbroni: Si të forcohet lufta kundër dhunës në bazë gjinore ndaj grave dhe vajzave “.

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska foli në temën “Roli i institucioneve në luftën kundër dhunës në familje”. Sipas saj kohëve të fundit është shtuar dhuna seksuale nëpër rrjetet sociale.

 “Nëse para disa viteve dhuna fizike ose ekonomike ka qenë dominuese, sot më tepër kemi dhunë seksuale, dhunë onlajn, kemi abuzime me fotografi të vajzave të reja në rrjetet sociale, domethënë forma të reja që i kemi definuar në legjislacion. Ajo që duhet ta bëjmë si institucione është përgjegjësia më e madhe në çdo institucion. Duke filluar që nga arsimi, duke i njoftuar fëmijët me format e dhunës, pastaj sistemi i drejtësisë në gjyq, që duhet t’a dënojë çdo formë të dhunës”, deklaroi Jovana Trençevska, ministre e Punës dhe Politikës Sociale.

Si mision i OSBE-së, ambasadori Kilian Val tha se po  punojnë me shoqatat joqeveritare, me ministrinë dhe me institucione tjera në mënyrë që t’u ofrojnë mbështetje për fuqizimin e grave.

 “U kemi ofruar gjatë viteve të fundit në program jo vetëm për fuqizimin e grave, por edhe mbështetjen e grave dhe duke përfshirë konceptin e gjinisë, shërbimet e ndjeshme policore dhe puna me personin që i ka mbijetuar një krimi. Me këtë ne ofrojmë mbështetje dhe bashkohemi me të rinjtë për të promovuar ‘tolerancën zero’ , për të gjitha këto dukuri”, pohoi Kilian Val ambasador i OSBE-së.

Ndërsa në pjesën për kuadrin ligjor dhe angazhimet e Qeverisë për dhunën, Jovana Trençevska theksoi se ratifikimi i Konventës së Stambollit rezultoi me miratimin e Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje i miratuar në vitin 2021. Gjithashtu, ministrja theksoi se përveç kornizave ligjore, duhet të punohet edhe me viktimat, por edhe me autorët e dhunës.