Është ngritur aktakuzë për vrasjen e trefishtë në Dibër!

TË FUNDIT

Prokuroria Themelore publike e Gostivarit ka ngritur aktakuzë kundër tre personave të cilët ngarkohen se kanë qenë të involvuar në vrasjen e familjes tre anëtaresh në Dibër, vrasje kjo që ndodhi në gusht të vitit të kaluar.

Prokuroria siguroi dëshmi se e akuzuara e parë ka kryer vepër penale – vrasje, përderisa dy të akuzuarit tjerë për ndihmë gjatë kryerjes së veprës së njejtë.

Nga Prokuroria publike bëjnë të ditur se më 26 gusht të vitit 2018 në shtëpinë familjare në Dibër, e akuzuara, duke shtënë nga një afërsi e madhe me pistoletë të kalibrit 7.65 mm së pari ka privuar nga jeta nënën dhe babain e saj ndërsa pastaj edhe motrën e mitur. Dy të akuzuarit e tjerë me paramendim e kanë ndihmuar kryerjen dhe mbulimin e veprës penale.

E akuzuara një ditë para se të kryej veprën penale ka kontaktuar me telefon me të akuzuarin e dytë dhe është takuar me të në Gostivar. Ndërsa i akuzuari i dytë ka marrë me qira një automobil dhe së bashku janë nisur për në Dibër për t’u furnizuar me armë. Në afërsi të Spitalit të qytetit, ditën e njejtë janë takuar me të akuzuarin e tretë i cili u ka siguruar pistoletë dhe pesë plumba.

E akuzuar pasi ka kryer veprën penale menjëherë është nisur drejt Strugës, me të cilën është takuar me të akuzuarin e dytë dhe ia ka dhënë çelësat e automjetit që e ka marrë me qira për ta kthyer në Gostivar, ndërsa e akuzuara me taksi ka shkuar në aeroport në Shkup dhe me aeroplan është nisur për në Itali.

Për personat e akuzuar prokurori kompetent publik në Gjykatën Themelore në Gostivar, duke vlerësuar se janë përmbushur bazat ligjore ka parashtruar propozim për vazhdim të masës së paraburgimit për personat e akuzuar.