Escobar: Pa zgjidhje për Asociacionin do të ketë cikël të vazhdueshëm krize

TË FUNDIT

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se Kosova e ka për obligim formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe nëse nuk zgjidhet kjo çështje, do të ekzistojë një cikël i vazhdueshëm krize.

“Mendoj se Qeveria në Prishtinë duhet ta shohë këtë çështje si mundësi. Ekzistojnë modele në Evropë që sigurojnë të drejta për minoritetet. Dhe ato veçse janë në Bashkimin Evropian. Ekzistojnë mënyra për të krijuar mundësi për të dyja vendet”.

Ai i ka bërë këto deklarata në një diskutim të organizuar nga Këshilli Atlantik – institut amerikan me seli në Uashington.

I pyetur nëse ekzistojnë afate për formim të Asociacionit, ai ka thënë se kjo çështje duhet të përfundojë sa më shpejt që është e mundur.

“Konflikti i ngrirë nuk i ndihmon askujt në rajon. Ky është konflikti i vetëm i tillë në Evropën Qendrore”.