Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan mund ta vazhdojë fushatën e tij parazgjedhore vetëm në një vëllim të kufizuar për shkak të sëmundjes së tij, raportoi DPA.
Ai vendosi të mos paraqitet personalisht në inugurimin e sotëm të caktuar të urës në Adana, Turqinë jugore. Megjithatë, ai do të marrë pjesë përmes telekonferencës së drejtpërdrejtë nga zyra e tij. Erdogan rrallë mund të mungojë në inaugurimet infrastrukturore ku e promovon rizgjedhjen e tij më 14 maj. Ai të mërkurën nuk mori pjesë në hapjen e linjës për tren të shpejtë që ishte hapur në Adana.
Erdogan zhvilloi një fushatë intensive zgjedhore dhe zakonisht shfaqej në publik tre herë në ditë.
Presidenti turk 69-vjeçar u sëmur të martën mbrëma, dy javë para zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale. Fillimisht iu desh të ndërpriste një intervistë të drejtpërdrejtë televizive për shkak të problemeve me stomakun, pas së cilës mori një pushim nga fushata.
Të enjten, ai u shfaq shkurt në një video-konferencë me presidentin rus Vladimir Putin, gjatë së cilës presidenti turk dukej i zbehtë, raporton DPA. Ministri i Shëndetësisë Fahretin Koxha tha se Erdogan ka probleme me stomakun dhe duhet të pushojë.
Anketat e mëparshme presin garë të ngushtë ndërmjet Erdoganit dhe kundërkandidatit të tij më të fuqishëm, liderit të opozitës Kemal Kiliçdaroglu.
