Erdoan: Do të mbrohemi me të gjitha mjetet nga sulmet e kryengritësve

TË FUNDIT

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajib Erdoan, i ka bërë thirrje autoriteteve në veri të Irakut që të ndalin veprimtarinë e kryengritësve nga radhët e Partisë Punëtore të Kurdistanit, duke qartësuar se vendi i tij do të ndërmerr të gjitha masat, për t’u mbrojtur nga sulmet e kryengritësve kurdë.
Autoritetet kurde në veri të Irakut duhet të ndërmarrin masa kundër pjesëtarëve të Partisë Punëtore të Kurdistanit, është shprehur Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajib Erdoan, pas kthimit të tij nga turneu nëpër Azi.
Presidenti turk paralajmëroi se vendi i tij do të ndërmarrë të gjitha masat e domosdoshme, për tu mbrojtur nga kryengritësit kurdë.
Pas një serie të sulmeve brenda territorit të Turqisë, ushtria turke filloi sulmet ajrore kundër Shtetit Islamik në Siri dhe kundër kryengritësve kurdë në veri të Irakut.
Megjithatë, numri i sulmeve kundër pozicioneve të Partisë Punëtore të Kurdistanit është shumë më i madh, se sa ai kundër pozicioneve të Shtetit Islamik.
Erdoan mohoi spekulimet se mund të ketë një kthim në vitet e 90-ta të vitit të kaluar, kur kryengritja e kurdëve arriti kulminacionin.
Ndërkohë sot është raportuar se dy ushtarë turqë kanë vdekur, ndërsa dy të tjerë janë plagosur, si pasojë e shpërthimit të një mine në juglindje të Turqisë. Besohet se edhe prapa këtij sulmi qëndrojnë kryengritësit kurdë. Mina u aktivizua nga larg me teledirigjim, përderisa vargani i automjeteve të ushtrisë po kalonte neper provincën Sirnak, në kufirin mes Irakut dhe Sirisë./ 21 Media