100 mijë maska mbrojtëse dhe 5 mijë uniforma mbrojtëse si ndihmë për Maqedoni në luftën kundër koronavirusit nga Qeveria hungareze. Ndihma është dërguar me avion special ushtarak me të cilin erdhi edhe ministri i jashtëm i Hungarisë, Peter Sijarto. Në aeroportin e Shkupit e priti zv/kryeministri Bujar Osmani dhe ministri i brendshëm Naqe Çulev. Hungaria tregoi solidaritet dhe përkrahje të madhe ndaj vendit tonë në këto kohëra të vështira, tha Osmani.
Krahas të gjitha masave restriktive, Hungaria gjen mënyrë të distribuojë ndihmë për sistemin tonë shëndetësor dhe këtë gjest do ta dinë ta çmojnë qytetarët tanë dhe shteti. Gjithashtu, dua t’u falënderoj për vendimin e BE-së për fillim të negociatave dhe rolin e Hungarisë në sjelljen e këtij vendimi, veçanërisht komiserit Varhei i cili kishte kontribut personal, tha Bujar Osmani, Zv/kryeministër për Çështje Evropiane.
Shefi hungarez i diplomacisë, Peter Sirjato, në konferencën e përbashkët për media me kolegen e tij maqedonas, Nikolla Dimitrov, dërgoi urim për anëtarësimin në NATO dhe fillimin e negociatave me BE-në, me ç’rast theksoi se pret që korniza e negociatave të mbyllet më së voni deri në maj me çka edhe zyrtarisht të fillojmë me negociatat. Tha se koordinimi i BE-së për luftën kundër korona-virusit ishte i vonshëm, ndërsa rikujtoi edhe krizën e emigrantëve, me çka tha se Hungaria do të vazhdojë të ndihmojë në mbrojtjen e kufijve.
Për fat të keq koordinimi mes shteteve anëtare të BE-së ka qenë i ngadaltë dhe andaj shtetet anëtare u lanë vetë që të menaxhojnë. Sigurisht ne do t’i mbështetim të gjithë angazhimet e BE-së në shtetet e Ballkanit Perëndimorë që të ofrojnë ndihmë sa më efikase, tha Peter Sirjato, Ministër hungarez për Punë të Jashtme.
Presim ndihmë nga të gjithë miqtë tanë, tha Dimitrov sipas të cilit, një pjesë e ndihmës tashmë ka arritur ndërsa nga disa tjerë na është premtuar mbështetje në menaxhimin me koronavirusin.
Unë këto ditë bisedova me shumë kolegë të mi, me ambasadorë këtu, bisedova për shembull me Suedinë për rialokim të bashkëpunimit zhvillimor me Suedinë në raport me mbështetjen e kompanive të vogla dhe të mesme. Bisedova edhe me Berlinin, me kolegun Mihail Rot dhe dërgova një listë të konsoliduar të nevojave, tha Nikolla Dimitrov, Ministër i Punëve të Jashtme.
Sirjato u takua edhe me liderin e opozitares, VMRO-DPMNE, Hristijan Micskoski, i cili iu falënderua për ndihmën.
