Ende s’janë paguar honorarët e komisioneve zgjedhore, rreth 20 komuna presin pagesën për punën gjatë zgjedhjeve

TË FUNDIT

Komisioni Komunal i Zgjedhjeve në Shuto Orizarë, bashkë me 400 persona nga e gjithë komuna nuk i kanë marrë honorarët e tyre për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të vitit 2021.

Bëhet fjalë për rreth 4 milionë denarë. Në Shuto Orizarë thonë se kryetari u ka thënë se ata nuk janë prioritet. E kontaktuam edhe të parin e komunës, i cili thotë se së pari e pret raportin e KKZ-së lidhur me atë se për sa mjete bëhet fjalë dhe më pas të nënshkruajnë marrëveshje.

“Mbajtëm një takim të organizuar nga KKZ-ja bashkë me kryetarët e vendvotimeve. I informuam për situatën financiare në komunën tonë, me sa mjete disponojmë për momentin dhe shumica e të pranishmëve e kuptuan dhe u pajtuan se nuk ka mënyrë tjetër përveç që pagesa të bëhet në këste”, deklaroi Kurto Dudush, kryetar i Shuto Orizares.

“Po, është e vërtetë se kishim takim më 14 janar të vitit 2022, por nuk nënshkruam asnjë marrëveshje me kryetarin që këto 300.000 denarë të transferohen çdo muaj. Në qoftë se nënshkruhej marrëveshja, pagesa do të zgjaste 14 muaj”, tha Tatjana Petrushevska, kryetare e KKZ-së në Shuto Orizare.

Disa anëtarë të cilët deshën të mbesin anonimë, akuzojnë se komuna nuk ka të holla për pagesë të honorarëve të tyre, por ka për organizim të ballos së romëve.

“Komuna nuk ka organizuar ballo, e unë me përgjegjësi të plotë pohoj se nuk ka një gjë të tillë. Ballon çdo vit e organizon Lidhja e Romëve të Maqedonisë, partia e të ndjerit Amdi Bajram dhe disa individë privatë”, tha Dudush më tej.

Rreth 20 komuna presin pagesën për punën disaorëshe gjatë zgjedhjeve. E disa prej tyre janë Dellçeva dhe Tetova.

“Deri më tani nuk është realizuar pagesa ndaj anëtarëve të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve. Kemi gjithsej 117 këshilla zgjedhorë, kurse një këshill zgjedhor ka 10 anëtarë. Kjo do të thotë se në rrethin e parë dhe të dytë të zgjedhjeve lokale ishin angazhuar 1.170 persona. Sipas përllogaritjeve të KKZ-së, në përputhje me rregulloren e KSHZ-së, neve na nevojiten 12.300.000 denarë”, tha Nazmi Dauti.

“Në komunën e Dellçevës ka gjithsej 36 vendvotime. Në procesin zgjedhor morën pjesë mbi 370 anëtarë të këshillave zgjedhorë, duke i përshirë edhe anëtarët e KKZ-së e cila numëron 12 anëtarë. Deri në ditën e sotme nuk janë paguar kompensimet për pjesëmarrje në procesin zgjedhor”, tha Borçe Ivanov.

Borxhin të cilin e kanë këto komuna ndaj anëtarëve të KKZ-së dhe Këshillave Zgjedhorë në bazë të pjesëmarrjes në procesin zgjedhor do ta mbulojë Ministria e Financave, por kjo do të vlejë vetëm për komunat, xhirollogaritë e të cilave janë të bllokuara.