Ende po shqyrtohet puna e gurores në Straçincë/ Banorët shpresojnë se ministria nuk do të japë leje ekologjike

TË FUNDIT

Gurorja në Straçincë mund të nisë me punë nëse i plotëson të gjitha kushtet e parapara me ligj, paralajmëroi ministrja e mjedisit jetësorë Kaja Shukova, kur u pyet nga TV21 për këtë çështje.

“Nuk kam shumë detaje për guroren në Straçincë, nëse është sipas ligjit do të marrë leje, nëse jo atëherë nuk do të marrin leje. Nuk kam shumë detaje, mundemi të iu përgjigjemi më tej për këtë.”- deklaroi Kaja Shukova, ministre e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor
.
Pyetëm në ministri për më shumë detaje, nga ku siguruan se gurorja nuk mund të punojë pa e marrë lejen e integruar B, e cila siç shtojnë, lëshohet nga Ministria e Mjedisit. Theksojnë se shërbimet e ekspertëve po i shqyrtojnë kushtet e punës që operatori duhet të plotësojë nëse e merr lejen për punë.

E nga ana tjetër, straçincasit presin që përgjigja e ministrisë të jetë negative sa i përket lejes ekologjike. Madje, siç Adnan Ajrullai nga bashkësia lokale i tha TV21, presin edhe që atë përgjigje negative Mjedisi t’ia përcjellë Ministrisë së Ekonomisë, që pastaj operatorit t’i merret koncesioni.

“Kemi pasur përsëri një bisedë me përfaqësuesit që ishin këtu prezent nga ana e ministrisë, dhe ato morën si obligim që edhe njëherë do t’i shqyrtojnë të gjitha dokumentacionet. Ne biseduam edhe me drejtorin që është përgjegjës për këto punë edhe ai sipas mendimit të tij dhe shumë ekspertëve të tjerë mendojnë se leja nuk do të jepet, dhe shumë shpejtë koncesioni do t’i merret operatorit.”- thotë Adnan Ajrullai, Qytetar.

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi ditë më parë sqaroi se duhet një raport negativ nga Inspektorati që më pas Ministria ta shfuqizojë koncesionin.

“Në momentin që neve do të na dorëzohet një raport që një koncesion kudo qoftë në RMV punon jashtë rregullave për mbrojtjen e ambientit por jo vetëm, edhe rregullave tjera kontraktuale nuk do të kalojë një javë dhe ne do t’i shfuqizojmë po të njëjtat koncesione.”- deklaroi Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Nëse jepet leja që gurorja të fillojë me punë, Adnan Ajrullai nga bashkësia lokale Straçincë pohoi se do të ngrenë proces gjyqësor, gjë për të cilën madje edhe kanë angazhuar edhe avokat, dhe besojnë se drejtësia do të vendosë në favor e banorëve që janë kundër një guroreje mbi fshatin e tyre.