Ende nuk ka nisur mbushja e gropave në Tetovë/ Komuna akuzon SPB-në për burokracitë, SPB kundërpërgjigjet

TË FUNDIT

Ende nuk ka nisur sanimi i gropave që u paralajmëruar ditë më parë nga Komuna e Tetovës. Ardhja e mërgimtarëve e ka ngarkuar edhe më shumë trafikun e qytetit, ndërsa rrugët e këqija e ngadalësojnë lëvizjen. Një nga këto rrugë është edhe “Mirçe Acev”. Banorët dhe kalimtarët që takuam ankohen se po u dëmtohen makinat.

 “Në “Mirçe Acev” për momentin është katastrofë, edhe vetë e shihni gropat që janë, puseta  këtu del një metër kur bie shi, tjetër send s’di çka t’u them, rrugët vetë i shihni si janë.”

“Katastrofë! A nuk i sheh gropat si me ra meteor?!

-A ua dëmtojnë veturën?

-Veturën jo ta dëmtojë e ka shkatërruar.”

“Siç shihet katastrofë e zotit ma keq ndoshta Bangladeshi është, veturat e sheh kanalet që janë vetëm në servisa duhet të rish ajo është.”

“Momentalisht është katastrofë, ne me autoshkollë jemi për çdo ditë duhet të kalojnë dhe nuk ka asnjë ndryshim.”

Të pyetur se pse sanimi nuk ka nisur ende, nga Komuna e Tetovës gishtin e drejtojnë nga procedurat burokratike të Sektorit për Punë të Brendshme.

“Kompania kontraktuese ka marrë urdhëresë për nisjen e punimeve dhe nga dita e sotme duhet të fillojë me mbushjen e gropave nëpër rrugët e qytetit të Tetovës, pasi deri më tani është dashur përfundimi i procedurave burokratike, ku përfshihen projekti i komunikacionit dhe pëlqimi nga SPB Tetovë, si dhe leja nga Sektori për Veprimtari Komunale. Është parapare edhe asfaltimi i tërësishëm i rrugës “Mirçe Acev” dhe tashmë kemi kontratë të nënshkruar me kompaninë. Punimet e së njëjtës do të fillojnë menjëherë pas mbarimit të punimeve në rrugët “Strasho Pinxhur” dhe “Nikolla Tesla”- thonë nga Komuna e Tetovës

Sektori për Punët të Brendshme Tetovë thonë se Komuna pëlqimin për punë e ka marrë para 10 ditësh!

Mohojmë kategorikisht pretendimet e Komunës së Tetovës për të ashtuquajturat procedurat burokratike të shërbimeve të saj, sepse përgjigja e kërkesës ishte përgatitur dhe dorëzuar në komunë në kohën më të shkurtër të mundshme. Prandaj, komuna e Tetovës fajin për fillimin e vonuar të aktiviteteve të planifikuara nuk duhet ta bartë tek SPB Tetovë, por atë ta kërkojë në joefikasitetin e shërbimeve kompetente komunale.”- përgjigjen nga SPB Tetovë.

SPB tregon se Komuna kërkesën e ka dërguar më 1 korrik, ndërsa përgjigjen e kanë marrë më datë 5. Lajmin për sanimin e rrugëve në Tetovë e dha vetë kryetari i Komunës, para dy javësh, por nga ajo ditë e deri më tani nuk është mbushur asnjë gropë.