Ende asnjë kandidaturë e dorëzuar në LSDM! Kovaçevski ende pa u zgjedhur ka filluar të prezantojë idetë e tij

TË FUNDIT

Zyrtarisht deri më tani kandidaturë për kryetarë të LSDM ka paralajmëruar vetëm Dimitar Kovaçevski, zv.ministri aktual i financave. Ai jo vetëm që ishte së bashku në takimin e mëparshëm mes Zaevit dhe Gashit, por ai edhe personalisht është promovuar nga lideri i tanishëm i LSDM, në seancën e Këshillit qendror të partisë, me çka janë përforcuar pohimet se ai është favoriti i Zaevit. Kovaçevski jo vetëm që paralajmëroi që do të kandidohet por tashmë i ka prezantuar idetë e tija për LSDM.

 “Unë e përgatis kandidaturën dhe do ta dorëzoj gjatë ditëve në vijim sipas afateve.  Një prej mesazheve kryesore është së pari të bashkohet anëtarësia e LSDM-së por edhe simpatizuesit. Mendoj se duhet të formohet ekip  dhe tani LSDM-ja në të gjitha nivelet ka ekipe cilësore që e udhëheqin  partinë, megjithatë çdo herë mund të përfshijmë njerëz që mund të  japin kontribut shtesë për të krijuar energji të re”, tha Dimitar Kovaçevski, zëvëndës ministër i Financave.

Përveç paralajmërimeve ambicioze të Kovaçevskit, askush tjetër deri më tani nuk ka shprehur  ambicie për pozitën e njeriut të parë të LSDM-së. Ministri i shëndetësisë Venko Filipçe kategorikisht e hodhi poshtë mundësinë e tillë.

 “Jo. Nuk kam  interes të tillë”, theksoi Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë

 As ministrja e arsimit  dhe nënkryetarja e partisë Milla Carovska nuk thotë nëse do të kandidohet për kryetare të partisë.

“Procedura është hapur, mendoj se të gjithë anëtarët  në mënyrë transparente  kanë mundësi që të paraqiten. I gjithë procesi në mënyrë demokrate do të zhvillohet në LSDM-në“, theksoi Milla Carovska, ministre e Arsimit.

Për momentin po vijojnë afatet për parashtrimin e kandidaturës, por deri më tani askush nuk ka bërë diçka të tillë. Kongresi i LSDM ku duhet të zgjidhet kryetari i partisë duhet të mbahet më 12 dhjetor, ndërsa në të njëjtën datë edhe partia opozitare VMRO-DPMNE e ka caktuar Kongresin.