Smaka: Gjykata kushtetuese ka shkelur haptas me katër këmbët ligjin
Para Gjykatës Kushtetuese protestuesve në këtë vend iu është drejtuar Riza Smaka nga AAK, i cili ka treguar një nga një shkeljet që janë bërë nga kjo gjykatë, duke thënë se ka shqyrtuar edhe çështjet që nuk i takojnë.
“Në disa raste gjykata kushtetuese e ka shkelur haptas me katër këmbët ligjin për gjykatën kushtetuese. Ndër të tjera, nenin 9 të ligjit për gjykatën kushtetuese, ashtu kur një nga gjykatësit e gjykatës ka dhënë dorëheqje, atij i ka pushuar mandati dhe kurrsesi e asnjëherë nuk do të mund të zgjidhet më edhe pas një kohe është angazhuar prapë, pra në stilin hyn dhe del si tek Hani i Dilit. Gjykata kushtetuese e ka shkel nenin 19 të ligjit në Gjykatën Kushtetuese gjatë vendosjes së një çështjeje ashtu që praktikisht e ka falsifikuar vendimin për të cilën çështje, avokati i popullit Ombudsperson me dokumente e ka argumentuar dhe e ka ngritë çështjen se nuk është fare e diskutueshme se gjykatësi që është thirrur që ka qenë i pranishëm e ka votuar, është deklaruar shkrimisht që nuk ka qenë i pranishëm as nuk ka votuar”, tha Smaka.
Ibrahimi: Qeveritarët po e lejojnë KEDS-in që t’i vjedhin qytetarët
Ndërsa, para KEDS-it protestuesve i është drejtuar Izet Ibrahimi nga Nisma për Kosovën, me ç’rast tha se Qeveria po i ndihmon KEDS-it në heshtje që t’i vjedhin qytetarët.
“Pajtohemi se çmimi i energjisë është vetëm njëri nga shumë faktorët që po e rëndojnë jetën ekonomiko-sociale në Kosovë dhe në vend që Qeveritarët minimizojnë efektet që krijon ngritja e çmimit të energjisë, ata e harruan dhe në heshtje po e lejojnë KEDS-in të i vjedh qytetarët e Kosovës. Ju rikujtojmë që Kosova paguan më shumë për kilovat energji ore sesa vendet e rajonit, përshembull Serbia, Bosnja e Hercegovina, për 51% më shume edhe pse e ka pagën mesatare për 51 % më të ulët.
Sipas tij, e vetmja rrugëzgjidhje nga kjo situatë është ulja e çmimit të energjisë dhe shkarkimi i bordit të ZRRE-së.
Haxhiu: Jemi këtu për të kundërshtuar kapjen e RTK-së
Deputetja e VV-s, Albulena Haxhiu iu drejtua të pranishmëve para RTK-se, duke thënë se në vend se RTK të jetë në shërbim të publikut, është shndërruar në televizion e Thaçit e herë të Kadri Veselit.
“Jemi këtu për ta kundërshtuar kapjen e RTK-së, për ta kundërshtuar korrupsionin dhe keqpërdorimin e menaxhmentit të RTK-së. Sot jemi këtu që të kundërshtojmë punësimet e paligjshme partiake, familjare e gjithashtu jemi këtu që të kundërshtojmë hakmarrjen ndaj punëtorëve e ndaj sindikalistëve”, tha Haxhiu.
