Hamza: Faleminderit Kosovë! Çdo votë të numërohet me kujdes

TË FUNDIT

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka falënderuar qytetarët e Kosovës për pjesëmarrjen në procesin zgjedhor, duke vlerësuar qetësinë dhe kulturën demokratike të treguar gjatë votimit.

Ai gjithashtu shprehu mirënjohje për institucionet, komisionerët, vëzhguesit, mediat dhe forcat e rendit për angazhimin në mbarëvajtjen e procesit. Hamza theksoi se tani është e rëndësishme që çdo votë të numërohet me kujdes dhe të respektohet vullneti i qytetarëve deri në përfundim të procesit zgjedhor.

“Qytetarët e Kosovës treguan edhe një herë qytetari, përgjegjësi dhe kulturë demokratike. Në një proces të qetë e dinjitoz, ata dëshmuan se besojnë në fuqinë e votës dhe në të drejtën për të vendosur për të ardhmen e vendit tonë. Dua t’i falënderoj të gjithë ata që morën pjesë në këtë proces zgjedhor, si dhe institucionet, komisionerët, vëzhguesit, mediat dhe forcat e rendit për angazhimin e tyre në mbarëvajtjen e tij. Tani është shumë e rëndësishme që çdo votë të numërohet me kujdes dhe të respektohet plotësisht vullneti i qytetarëve. Demokracia nuk përfundon me hedhjen e votës në kuti, por vazhdon edhe me respektimin e saj. Le të kujdesemi së bashku që çdo votë e qytetarëve të ruhet dhe të mbrohet deri në fund. Faleminderit Kosovë”, ka shkruar Hamza.