“Edhe talebanët kanë gjyqësor më të mirë”, protestë tek Gjykata Civile për mosrespektim të vendimit të Strasburgut

TË FUNDIT

“Edhe talebanët kanë gjyqësor më të mirë”. Me këtë parullë disa qytetarë, bashkë me lidhjen “No Pasaran” dhe shoqatën “Stop vjedhjes”, protestuan pranë Gjykatës Civile. Kjo për shkak të mosrespektimit të vendimit të Strasburgut nga ana e Gjykatës Civile-Shkup, Gjykata e Apelit, Komisionit Rregullator të Energjetikës dhe Ministrisë së Drejtësisë, thanë protestuesit. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut pati vendosur në favor të qytetarëve të cilët janë detyruar të paguajnë për ngrohje qendrore edhe pse nuk e përdorin. Me këtë rast qytetarët kanë të drejtë të përsërisin procedurat që i kanë humbur me BEG-un, por këto kërkesa ia kanë refuzuar institucionet e lartpërmendura.

“Gjyqësori është privatizuar dhe ky gjyqësor nuk është i RMV-së, por është i partive politike dhe monopoleve private. Gjyqësori ekziston për t’i përmbushur nevojat e monopoleve private, ndërsa punon në kundërshtim me të drejtat e qytetarëve. Kjo u dëshmua me vendimin e Strasburgut, që për fat të keq ende nuk është zbatuar në Maqedoni”, deklaroi Marjan Nenov, kryetar i Lidhjes “No pasaran”.

Ana Gligorova nga shoqata “Stop Vjedhjes” tha se me këtë rast duhet të ketë një fond për të dëmshpërblyer qytetarëve, të cilët kanë paguar fatura pa shfrytëzuar shërbime.

“Numër i madh i qytetarëve që paguajnë paushall e nuk shfrytëzojnë energji për ngrohje, kanë ngecur tek përmbaruesit. Një pjesë e madhe e tyre paguajnë borxhe virtuele me vite. Këto janë para të hedhura nga buxheti familjar, ato janë familje të varfra që jetojnë në Aerodrom, Qendër, Karposh në atë pjesë ku përfshihen nga BEG. Ato para duhet t’i kthehen qytetarëve, sepse ajo formë e të paguarit nuk korrespondon me vendimin e Strasburgut. Me këtë rast duhet të ketë një fond për të kthyer dëmshpërblimin e qytetarëve, të cilët kanë paguar plus para, që nuk është dashur të paguajnë”, tha Gligorova.

Pjesëmarrësit në protestën thanë se kërkojnë që shteti të mbajë përgjegjësi për, siç u shprehën, korrupsionin në institucionet e veta dhe të krijojë një Fond Kompensimi për të gjithë qytetarët që nuk kanë shfrytëzuar ngrohjen qendrore e u kanë ardhur fatura. Ata paralajmëruan protesta çdo të premte në mesditë deri sa nuk zgjidhet problem.