Edhe sivjet Tetova pa stoli! Kasami thotë se nuk harxhon për gjëra që nuk janë të domosdoshme

TË FUNDIT

Këtë fundvit Tetova është e thatë, pa stoli për festat.

Komuna njëjtë si në dy vitet e fundit nuk do të ndajë asnjë denar për ta zbukuruar qytetin.

Disa tetovarë nuk e pëlqejnë qytetin në këtë gjendje në prag të ndërrimit të moteve, e disa të tjerë pajtohen me vendimin e komunës.

“Kryetari i komunës i bën ato punë, duhet të bëhet por dhe s’duhet”.

“Po duhet”.

“Ai me fenë shkon, nuk shkon kundër fesë, ai e di rendin”.

Kryetari i Tetovës Bilall Kasami thotë se deri sa qyteti ka probleme me ujë e pijshëm, mbeturinat edhe infrastrukturën nuk do të ndajë mjete për zbukurim.

“Derisa nuk arrimë të stabilizojmë qytetin në aspektin financiar, derisa nuk menaxhojmë me obligimet bazike të komunës që kanë të bëjnë me mirëmbajtjen e ambienteve publike, me pastrimin e qytetit,  me furnizim të mjaftueshëm me ujë të qytetit, me rregullimin e infrastrukturës bazike, nuk harxhojmë mjete për çështje që sigurisht janë të rëndësishme për qytetin, por nuk janë të domosdoshme”, tha Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës.

Ardhja e mërgimtarëve dhe festat në disa lokale do të jenë shenja e vetme që edhe në Tetovë po pritet 2024-ta.