Edhe në opozitë edhe me drejtorë nëpër institucione, Lloga: Kritikojnë pushtetin por karriget nuk i lëshojnë

TË FUNDIT

Kanë dalë nga pushteti por vazhdojnë të kenë anëtarë të partive në pozita udhëheqëse në disa institucione shtetërore. Krenar Lloga nga radhët e Aleancës për Shqiptarët me akuza për Alternativën dhe Lëvizjen Besa, që nuk i lëshojnë karriget e drejtorëve, edhe pse siç shprehet, vazhdimisht sulmojnë qeverinë.

“Janë diku 4-5 funksionarë të Besës, që janë akoma në pozita. Ka funksionarë të Alternativës që refuzojnë të japin dorëheqje dhe të tërhiqen dhe kjo është absurd, sepse në të njëjtën kohë derisa dy këto parti politike po e sulmojnë Qeverinë, anëtarët e tyre vazhdojnë të mbesin drejtorë nëpër institucione qendrore dhe kjo është shumë e turpshme”, tha Krenar Lloga – Aleanca për Shqiptarët.

Nga Lëvizja Besa mohojnë se kanë ende “njerëz të partisë” në krye të ndonjë institucioni.

“Lëvizja BESA nuk ka asnjë drejtor ne pozicione politike në ekzekutiv. Nëse qeveria ka probleme me shkarkimin apo emërimin e drejtorëve është problemi i tyre dhe jo i partive opozitare”, thonë nga Lëvizja Besa.

Megjithatë nën menaxhim të BESËS janë IN “Vardar Film” me në krye Sani Saidi dhe Muzeu i Shkencave natyrore që e udhëheq Ferat Memeti. Saidi tre muaj më parë ka aderuar nga partia e Kasamit tek ajo e Ahmetit, apo në BDI, ndërsa ngelet e paqartë nëse Memeti vazhdon ose jo të jetë anëtar i BESËS.

E nga partia tjetër opozitare Alternativa, porosisin Aleancën për Shqiptarët që të mësojnë së si funksionin pushteti, ndërsa ua kujtojnë se nëpër institucione ka edhe drejtorë të opozitares maqedone, VMRO-DPMNE.

“Një ministër i Drejtësisë duhet ta dijë se si funksionon pushteti dhe se ka drejtorë që zgjidhen në konkurse dhe drejtorë që janë të emëruar. Sa për informacion të tij, në pushtet ka ende funksionarë që janë zgjedhur qysh në kohë të VMRO-së së Gruevskit. Sidoqoftë, shpresojmë që ASH-ja t’i mësojë këto leksione dhe t’i kalojë së shpejti pasioni për pushtet e të bie me këmbë në tokë, për ta kuptuar se shqiptarët presin ndryshim, ndërsa ASH-ja është bërë pengesë e këtij ndryshimi të shumëpritur”, shtojnë nga Alternativa.

Nga radhët e Alternativës janë tre drejtorë. Naser Curri i cili udhëheq me IN Shtëpia përkujtimore Nënë Tereza, Rasim Ali në krye të ShA “Sllavija” dhe Hajrulla Misini që udhëheq me Agjencinë e mbështetjes në sipërmarrësi.

Të pyetur nëse të gjitha këto pozita i takojnë ASh-së, Krenar Lloga tha se janë të partnerëve te koalicioit qeverisës.