Edhe katër ditë ka kohë të aplikojnë kompanitë

TË FUNDIT

Kompanitë të cilat kanë investuar gjatë pandemisë kanë afat edhe katër ditë për të aplikuar për ndihmë financiare nga shteti.

“Ministria e Ekonomisë u bën thirrje të gjitha kompanive që gjatë vitit 2020, edhe përkundër pandemisë dhe krizës ekonomike vazhduan të punojnë dhe investojnë në rritjen dhe zhvillimin e biznesit të tyre të shfrytëzojnë afatin përfundimtar dhe të aplikojnë në Thirrjen Publike për mbështetje financiare për të forcuar konkurrueshmërinë e subjekteve afariste në periudhën post COVID-19”, thuhet në kumtesën e Ministrisë.

Në këtë kumtesë, më tej thuhet se Thirrja publike, e cila është pjesë e Pakos së tretë të masave ekonomike për mbështetje të ekonomisë nga pasojat e shkaktuara nga pandemia, është publikuar në web faqen e Ministrisë së Ekonomisë më 12 qershor 2020 dhe zgjat deri në fund të muajit, pra 31 korrik 2020.

“Deri më tani, në arkivin e Ministrisë së Ekonomisë janë pranuar më shumë se 300 kërkesa nga kompanitë.  Mbështetja totale e shtetit për kompanitë përmes kësaj mase është 20 milion euro”, thuhet më tej në kumtesë.

Përndryshe, në këtë Thirrje publike mund të aplikojnë kompanitë të cilat kanë në realizim e sipër një projekt investimi, punojnë në sektorët prodhues që janë definuar si prodhimtari ,përveç atyre që përjashtohen nga kjo mundësi në përputhje me Ligjin për kontrollin e ndihmës shtetërore, subjektet afariste që kryejnë veprimtari tregtare, nëse investojnë në mjetet themelore, kryejnë veprimtari në fushën e shërbimeve të informacionit dhe komunikimit, nëse investimi përfshin krijimin e një njësie të re organizative për zhvillimin teknologjik, hulumtimin dhe/ose zhvillimin e një zgjidhje të re softuerike ose harduerike.

“Qëllimi kryesor i kësaj mase është të ndihmojë kompanitë që do të humbasin tregjet për ti ri-pushtuar apo rifituar të njëjtat – rritjen e konkurrencës së tyre, modernizimin e proceseve, rritjen e produktivitetit, me çka do të mbështeten sipërmarrjet e biznesit që do të kontribuojnë në rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit, përmes realizimit të projekteve të investimeve në periudhën post kovid nga korriku deri në dhjetor 2020”, thonë nga Ministria.

Shuma e ndihmës financiare është 25% e investimit të realizuar sipas planit të investimit që do ta dorëzojë aplikanti, por jo më shumë se 40,000 euro për kompanitë që kanë realizuar të ardhura totale në vitin 2019 jo më shumë se 1.000.000 euro, deri 100,000 euro për kompanitë që kanë realizuar të ardhura totale në vitin 2019 nga 1.000,001 euro deri në 10,000,000 euro, deri 140,000 euro për kompanitë që kanë realizuar të ardhura totale në vitin 2019 nga 10,000,001 euro deri në 50,000,000 euro, dhe 200,000 euro për kompanitë që kanë realizuar të ardhura në vitin 2019 më shumë se 50,000,000 euro.

Kompania që do të marrë ndihmë financiare është e detyruar të dorëzojë një Raport deri më 31.01.2021 për rrjedhën e realizimit të planit të investimit me dëshmi se është realizuar brenda planit të investimit për të cilin është paguar mbështetja financiare. Mjetet do të merren në momentin kur do të zbatohet plani financiar, dhe pritet të realizohet deri në fund të vitit të ardhshëm.

Nëse subjekti afarist nuk arrin të kryejë investimin ose nuk arrin të dëshmojë një minimum prej 80% të vlerës së investimit, ai duhet të kthejë mjetet jo më vonë se 01 mars 2022.