Edhe Gruevski, Stavreski e ish-zyrtarë të tjerë/ Të dyshuar për pastrim parash për përmendoret e “Shkupi 2014”

TË FUNDIT

 

Ish-Kryeministri i arratisur Nikolla Gruevski dhe ish-ministri i Financave Zoran Stavreski dhe ajo e Kulturës Elizabeta Kançevska-Milevska, krerët e mëparshëm të komunës Qendër Vlladimir Todoroviq dhe Violeta Alarova janë vetëm disa nga ish-funksionarë që dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe për pastrim parash në hetimin për 11 monumentet e “Shkupit 2014”, përfshirë edhe “Luftëtari mbi kalë”.

“Dje dhe sot deri te gjykatësi i procedurës paraprake janë dorëzuar disa kërkesa për bastisje, sekuestrim të përkohshëm të pasurisë dhe konfiskim të menjëhershëm, ngrirje të llogarive bankare dhe aksioneve në persona të tjerë juridikë, si dhe propozime për caktimin e masave të paraburgimit si dhe masa të tjera për sigurimin e pranisë së të dyshuarve.”- deklaroi Lubomir Lape, Prokuror.

 

 

Hetimi është shtrirë në gjithsej 15 persona fizikë dhe 7 persona juridikë, mes tyre edhe një shtetas italian, bëjnë të ditur nga Prokuroria. Këto monumente në vendin tonë kishin vlerë tenderi shumë të lartë dhe jashtëzakonisht të ulët në Itali. Prokurori Ljubomir Lape tregon se si janë blerë monumentet me dyfishin e çmimit të tenderit. Nëse, për shembull, një monument në Maqedoni kushton 4.7 milionë euro në tender, ai është punuar në Itali për 2.3 milionë euro. Ish-këshilltari i Komunës Qendër, Zdravev është ndaluar dje në pikën kufitare “Tabanoc”, ndërsa ish-kryetari në aeroportin e Shkupit.

 

“Kishim dyshime se do të largoheshin nga vendi, nuk zgjodhëm datën, por në momentin që më njoftuan se njëri nga të dyshuarit po largohej jashtë vendit, filloi i gjithë aksioni. Hetimi është ende në vazhdim, me sa di unë, për katër persona vetëm se po veprohet.”- tha Lubomir Lape, Prokuror.

 

 

Pagesat kanë shkuar nga Komuna Qendër drejt Italisë, tek kompanitë e të dyshuarit të tetë, një biznesmen italian pa licencë shkritoreje monumentesh. Më pas, përmes kompanive offshore, i ka larë paratë nga Maqedonia dhe ua ka kthyer kompanive, menaxherët e të cilave dyshohen. I kanë marrë paratë e lara dhe i dorëzuan në një vend. Sipas hetimeve, të dyshuarit në mënyrë të kundërligjshme kanë transferuar para nga buxheti i shtetit dhe nga buxheti i Ministrisë së Kulturës në Komunën e Qendrës për investime kapitale mbi 3 miliardë denarë ose mbi 57 milionë euro.