Një ngjarje e rëndë ka tronditur Gostivarin! Një grua 53-vjeçare nga fshati Raven u zhduk e më pas u gjet e vdekur!
Më 9 dhjetor, sipas njoftimit të policisë, djali i viktimës, J.M., paraqet në polici se nëna e tij, H.A., ishte larguar nga shtëpia dhe nuk po i përgjigjej telefonatave. Duke kontrolluar kamerat e sigurisë, ai vëren se dy ditë më herët, më 7 dhjetor, ajo ishte parë duke u larguar me një automjet të tipit Fiat.
Por dyshimet e tij rriten kur sheh se gjatë natës mes 6 dhe 7 dhjetorit, një person – më vonë i identifikuar si S.M. nga fshati Negotinë – ishte futur në oborrin e shtëpisë dhe, sipas deklarimit të tij, ishin marrë para nga dhoma.
Policia nis menjëherë hetimet. Pas analizimit të video-incizimeve dhe marrjes së thirrjeve telefonike, S.M. vihet nën dyshim. Më 11 dhjetor ai arrestohet me dyshimin se e ka detyruar H.A. të largohej me të.
“Sipas raportimeve pra bëhet fjalë për marrje të detyrueshme nga shtëpia, menjëherë policia ka ndërmarrë hapat e veprimit për gjetjen e personit”, tha Fatmir Rexhepi – zëdhënës i SPB-Tetovë.
Gjatë procedurës hetimore, policia konstaton se S.M. kishte dhënë deklarime të pavërteta. Ndërkohë, nga të dhënat telefonike rezulton se kontakti i fundit i viktimës ka qenë pikërisht me të, më 7 dhjetor.
Me urdhër të gjykatës, kryhet bastisje në banesën e tij në Negotinë. Pikërisht aty zhvillimi i rastit merr një kthesë të fortë.
“Kështu që është arrestuar personi në fjalë dhe me urdhër të gjykatës, në shtëpinë e tij është kryer bastisje, gjatë së cilës është arrestuar edhe bashkëshortja e tij. Pas bisedës zyrtare në stacionin e policisë, e njëjta ka pranuar se bashkëshorti i saj e ka vrarë tanimë të ndjerën dhe e ka treguar lokacionin se ku e ka varrosur”, theksoi Fatmir Rexhepi – zëdhënës i SPB-Tetovë.
“Në rrugën prapa meje S.M. nga Negotina e Komunës së Vrapçishtit e ka varrosur 53-vjeçaren H.M nga fshati Raven i Komunës së Gostivarit. Policia mbrëmë ka arritur ta gjejë trupin e saj. Informacionet tona janë se trupi i të ndjerës është gjetur pasi është gjurmuar telefoni i saj”, raporton gazetari i TV21 Senat Zylbehari.
Trupi është dërguar për autopsi, ndërsa hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rastit.
