E rrallë, të gjitha termocentralet po prodhojnë rrymë/ Është vënë në funksion edhe blloku 3 i TEC “Manastir”

TË FUNDIT

Të gjitha termocentralet në vend janë në funksion dhe po prodhojnë energji elektrike, ky është një rast i rrallë, u shpreh kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë, Marko Bislimoski, duke treguar se edhe blloku i tretë i TEC “Manastir” prej sot është kyçur në rrjet.

“Besoj se me funksionimin e bllokut të tretë në KME Manastir do të ketë tepricë të rrymës që EMV-ja do t’i shesë në tregun e lirë të energjisë elektrike për të përmirësuar likuiditetin e saj dhe stabilitetin financiar”- deklaroi Marko Bislimoski, kryetar KRRE

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi tha se për më pak se një vit të gjitha kapacitetet energjetike janë vënë në funksion.
“Me dekada nuk ishin përgatitur të gjitha kapacitetet për të prodhuar energji elektrike. Për më pak se një vit tashmë të gjitha kapacitetet janë vënë në funksion dhe do të vihen në funksion për nevoja të biznesit dhe të qytetarëve. Kjo tregohet edhe me çmimet e energjisë elektrike për konsumatorët e vegjël ku kemi ulje të përnjëhershme, ndërsa lidhur me çmimet e ardhshme do të flasim në qershor, por prej sot mund t’ju them se edhe atje do të ketë ulje”- pohoi Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Blloku 3 i TEC “Manastir” sërish është kyçur në punë pas 366 ditëve pasi që në nëntor të vitit 2021 transformuesi i ri ishte dëmtuar nga zjarri i shkaktuar nga jashtë. Transformuesi i vjetër ndodhet në riparim në fabrikën e specializuar në Serbi.