E para nga tre anijet, “lundron” në histori, Shilegov për TV21: Nuk duhet vendim gjyqësor për largimin e saj

TË FUNDIT

E para nga tre anijet në lumin Vardar shkon në histori. Shkupi, një histori e ndryshme! – kështu e paralajmëroi demontimin e anijes, kryetari i Shkupit, Petre Shilegov. Pas  paralajmërimit për largimin e anijes nga ana e Qytetit të Shkupit, reagoi pronari Zharko Milenkovski.

 “Me rastin e largimit të kësaj anije në qendrën e Shkupit, me reagim doli pronari Zharko Milenkovski. Ai tha se ka procedurë gjyqësore, megjithatë derisa nuk ka vendim gjyqësor, anija nuk  guxon të largohet. Investimi është 1,2 milionë euro”, Aleksandra Velinova – gazetare TV21.

ZHARKO MILENKOVSKI – PRONARI I ANIJES

1.Qyteti i Shkupit nuk na ka dorëzuar asnjë kërkesë!

2.Ky është investim privat, Qyteti i Shkupit nuk ka investuar as një denar!

3.Qytetit i paguajmë nga 1000 euro për një muaj për koncesion. Gjithçka është paguar, nuk kemi asnjë borxh!

4.Nuk është anuluar leja  për vendosjen e pajisjes urbane, që do të thotë se akti juridik për vendosjen e anijes, ende është në fuqi.

Sipas Shilegovit nuk ka asnjë pengesë juridike për largimin e anijes, ja pse:

“Marrëveshja  sipas së cilës është vendosur anija  është me klauzolë ekzekutive, që do të thotë se kur të plotësohen kushtet për prishjen e marrëveshjes, anija mund të largohet automatikisht, pa ngritur procedurë gjyqësore”, tha për TV21, Petre Shilegov – kryetar i Qytetit të Shkupit.

Anijet në qendrën e Shkupit, në lumin Vardar, i vendosi pushteti qendror dhe ai lokal i VMRO-DPMNE-së, si pjesë e projektit Shkupi 2014. Në 2011 Këshilli i  Qytetit të Shkupit mori vendim për zbatimin e procedurës për vendosjen e pajisjes urbane për veprimtari hoteliere në kejin e  lumit Vardar, me të cilën ishin paraparë kushtet për dhënien e së drejtës hotelierëve që t’i vendosin këto objekte për periudhë prej 30 viteve, duke i paguar Qytetit të Shkupit kompensim për këtë gjë.