E para e Antikorrupsionit në Maqedoni ka dhënë sekrete zyrtare?! Dyshohet se në Viber dhe WhatsApp ka komunikuar me të akuzuarin në rastin “Aditiv”

TË FUNDIT

Tatjana Dimitrovska, kryetare e Komisionit për parandalim të korrupsionit, që dje është mes të dyshuarve në rastin “Aditiv”. Me kërkesë të Prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, gjykata i ka shqiptuar masa për kujdes. Dimitrovskës i janë marrë dokumentet e udhëtimit, ndërsa i është shqiptuar edhe ndalesë për kryerjen e detyrave të punës në Antikorrupsion. Kjo do të thotë se nuk do të shkojë në punë, por do të marrë pagë. Në hetimin e zgjeruar për “Aditiv”, përveç Dimitrovskës, janë përfshirë edhe 2 persona. Për njërin prej tyre është caktuar paraburgim 30 ditor, ndërsa për personin e dytë masë kujdesi.

“Në suazë të procedurës që udhëhiqet për lëndën “Aditiv” si rezultat i provave të nxjerra në mënyrë elektronike që janë siguruar deri më tani, prokurorët në këtë lëndë sollën urdhër për zbatim të procedurës hetimore kundër tre personave”, thonë nga PPTH .

Nga Prokuroria thonë se kryetarja e Komisionit Antikorrupsion nga muaji maj deri në dhjetor 2024 personit të akuzuar në rastin Aditiv i ka dhënë informacione që ishin sekret zyrtar.

“Ajo përmes telefonit të saj zyrtar dhe aplikimet Viber dhe Watsapp i ka dhënë informacione të akuzuarit, për procedurat e ngritura, për hapjen e lëndëve kundër personave juridikë dhe fizikë  të cilët tani janë të akuzuar, në lëndën Aditiv dhe vendimet për këto procedura, si dhe të dhëna për kontroll të pronës dhe familjes së tij. Me veprimet e saj ajo ka zbuluar të dhëna që sipas ligjit konsiderohen sekret zyrtar, zbulimi i të cilëve mund të ketë pasoja të dëmshme”, shtojnë nga PPTH.

Lënda Aditiv ka të bëjë me hetimin për keqpërdorim të furnizimeve publike dhe larjen parash në lidhje me blerjen e aditivëve për qymyr për nevojat e SHA EMV – Filiali TEC Manastir dhe TEC Osllome. Të akuzuar janë 31 persona fizikë dhe 5 persona juridikë.

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit kanë organizuar dhe kanë bërë riregjistrim të subjekteve juridike për mashtrimin e procedurave për furnizim publik me çka kanë mundësuar që kompani të caktuara të mund të marrin marrëveshje dhe të përfitojnë pronë të konsiderueshme.