E Hëna e Zezë, Kina trondit bursat botërore

TË FUNDIT

Tregjet në gjithë botën u përfshinë nga paniku këtë të Hënë, teksa lajmet negative që vijnë nga Kina kanë rritur pasigurinë për ekonominë botërore. Në bursën e Shangait aksionet shënuan rënien më të madhe nga viti 2007, duke humbur brenda ditës 8.5 për qind të vlerës.

Sapo bursa u mbyll, gazeta zyrtare e Partisë Komuniste nxitoi ta pagëzonte ditën si “E Hëna e Zezë”. Por nervozizmi i tregjeve kineze u përhap me shpejtësi në gjithë botën. Në Japoni, indeksi i Nikkeit ra me 4.6 për qind, ndërsa në Evropë dhe SHBA, bursat ranë me 4 deri në 5 për qind. Paniku nuk është ndalur vetëm në tregjet e aksioneve dhe letrave të tjera me vlerë, por ka përfshirë edhe tregjet valutore dhe ato të lëndëve të para.

Monedhat e ekonomive në zhvillim, nga Afrika e Jugut në Malajzi u zhvlerësuan me shpejtësi, ndërsa çmimi i naftës ra edhe me 4 për qind të tjera duke zbritur në 43 dollarë për fuçi. Ky është niveli më i ulët që nga marsi i vitit 2009.