Trendi i zhvillimit njerëzor ka filluar të bie në shumë shtete në vitin 2020 përfshirë vendin tonë, tregon raporti i UNDP-së mbi raportin e indeksit të zhvillimit njerëzor. Në vitin 2019 indeksi ka qenë 0.784, në vitin 2020 ka rënë në 0.774, ndërsa në vitin 2021 indeksi ka rënë edhe më shumë edhe atë në 0.770. Kështu raporti tregon se vendi ynë ka rënë më poshtë se vlera që e ka arritur në vitin 2018 (0.779) ndërsa i është përafruar vlerës së vitit 2015 (0.762), që nënkupton se me ndryshimet e fundit mbi vlerën e indeksit, Maqedonia e Veriut ka humbur katër vjet përparim.
“Në një farë forme ka rënie të vazhdueshme të indeksit të zhvillimit njerëzor, posaçërisht dy vitet e fundit. Shqipëria ka pasur kthim në vitin 2020, mirëpo në 2021 një përparim minimal të indeksit. Serbia është në një situatë të ngjashme si ne, ka rënie në dy vitet e fundit, sikurse edhe Bullgaria.”- tha Marko Troshanovski – Institutit për Demokraci “Societas Civilis”
Çdo qeveri që nga pavarësia e deri tani ka lënë dobësi sistematike që janë depozituar vlerëson presidenti i shtetit i cili mori pjesë në prezantimin e raportit.
Duke iu referuar tendencave negative që mbizotërojnë si rezultat i një sërë ndikimesh të jashtme dhe faktorëve të brendshëm, presidenti Pendarovski theksoi se raporti i UNDP-së thekson pikat kritike në të cilat duhet të fokusohemi për të kompensuar vitet e humbura, domethënë që mund të jetë një udhëzues në këto kohë të pasigurta.
“Është e qartë se pa sigurim shëndetësor të duhur, arsimim cilësor dhe edukim mediatik, është vështirë të pritet standard të lartë jetësor. Një numër i madh i arsyeve për këtë gjendje janë të jashtme dhe nuk varen nga ne. Ndryshimet klimatike, tensionet gjeopolitike, kriza ekonomike, energjetike dhe shëndetësore janë lëkundje globale, që po e ngadalësojnë progresin. Mirëpo përveç ndikimeve të jashtme, zhvillimi ynë nuk ka ritëm të kënaqshme edhe si rezultat i faktorëve të brendshëm. Jemi dëshmitarë të reformave të gjata me dekada, që janë nisur e nuk kanë përfunduar, si dhe të korrupsionin, klientalizmit dhe ekonomisë gri, që e gërryen besimin e qytetarëve në institucione.”- tha Stevo Pendarovski – President.
Për të arritur një nivel më të lartë të zhvillimit njerëzor për të gjithë qytetarët, duhet të përballemi me realitetin, të shqyrtojmë zgjidhjet dhe vullnetin politik, vlerëson presidenti.
“Për të arritur qëllimin-nivel më të lartë të zhvillimit njerëzor për të gjithë qytetarët e Maqedonisë, nevojiten tri gjëra: e para, ballafaqimi me realitetin, së dyti, shqyrtimi i zgjidhjeve dhe së treti dhe më e rëndësishmja, vullneti politik për të bërë ndryshimet e nevojshme. Indeksi i UNDP-së na ballafaqon me realitetin. Dokumentet e strategjisë së zhvillimit na ofrojnë zgjidhje. Negociatat e nisura për anëtarësim në Bashkimin Evropian nënkuptojnë një motiv shtesë për reforma thelbësore.”- tha Stevo Pendarovski – President.
Raporti për zhvillimin njerëzor 2021/2022 e rendit Maqedoninë e Veriut për sa i përket stabilitetit politik dhe qeverisjes, besimit në institucione, situatës socio-ekonomike, çështjeve gjinore, si dhe jep një pasqyrë të polarizimit politik dhe social dhe ekstremizmit. Ndryshe si pasojë e pandemisë Covid-19, tendencat globale të vitit 2019 tregojnë rënie në ecurinë e zhvillimit njerëzor.
