Dy prej të mbijetuarve të tragjedisë arrijnë në Shkup, me shëndet janë mirë, do t’u ofrohet mbështetje psikologjike

TË FUNDIT

Përpara Qendrës së Urgjencës familjarët po presin me padurim që të arrijnë të afërmit që i mbijetuan aksidentit të autobusit në Bullgari.

Kah mesdita në Qendrën Klinike të  Shkupit arritën dy autoambulanca me dy pacientë e parë që ishin të shtruar në Spitalin “Pirogov” të Sofjes. Si 17-vjeçarja edhe 49-vjeçari janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Familjari i pacientes tha se është i lumtur që një nga familjarët e tij ka shpëtuar, por ndjen keqardhje dhe mërzi për ata që humbën jetë.

 “Këtu jemi për mbesën time që ka 16 vjet, ka operacion plastik në krahun e djathtë, të djegura në të majtin dhe pak në ballë, këto janë operacione plastike. Pak është në shok, por do të durojmë. Jemi të lumtur nga njëra anë, por nga ana tjetër të mërzitur, sepse kemi shumë të vdekur, Zoti i ngushëlloftë familjarët, nuk di çfarë të them më…”, tha Rexhail Kamberovski – familjar.

Pasi të rikuperohen, pacientët do të lëshohen në trajtim shtëpiak, bëjnë të ditur autoritetet shëndetësore. Ata do të jenë në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, ndërsa do t’u ofrohet edhe ndihmë psikologjike për shkak të tronditjes që kanë përjetuar.

 “Ato kanë lloj të lëndimeve që duhet të rishikohen dhe të vendosen në Klinikën për Kirurgji plastike, këtu janë siguruar vendet dhe do të mbahen për mbikëqyrje, do të jenë të hospitalizuar varësisht se sa kohë u duhet të qëndrojnë, pastaj do të bëjmë vlerësimin që të lëshohen në trajtim të mëtutjeshëm shtëpiak. Kanë mbërritur edhe kolegët e psikiatrisë që t’u jepet ndihmë psikologjike, që është shumë e rëndësishme në këto momente”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Në gjendje të mirë shëndetësore janë edhe pesë të lënduarit e tjerë. Nga MSH-ja paralajmërojnë se ata do të transferohen nga java e ardhshme, në faza të ndryshme, varësisht gjendjes shëndetësore.

Përndryshe sot eurodeputeti Ilhan Quçuk i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi dhe kryetari i komunës së Çairit Visar Ganiu vizituan shkollën fillore “Ismail Qemali” në Çair, për të ngushëlluar për pesë nxënësit e kësaj shkolle që humbën jetën në tragjedi.