Dy akuza rëndojnë mbi anesteziologun Tik-Toker. Prokuroria kërkon edhe vazhdimin e paraburgimit

TË FUNDIT

Anesteziologu 43-vjeçar Valton Dervishi tashmë edhe zyrtarisht akuzohet për dy vepra penale. Prokuroria Themelore ka ngritur dy akt akuza, e para për “punë të pandërgjegjshme” dhe e dyta për “incizim të pa autorizuar”. Sipas Kodit Penal personi zyrtar për punë të pandërgjegjshme rrezikon burg nga 3 muaj deri në 5 vjet, ndërsa për veprën incizim i pa autorizuar nga personi zyrtar parashihen të paktën 3 vjet burg.

“Keqpërdorim në shërbim” nga neni 353-v paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1, si dhe “incizim i paautorizuar” nga neni 152 paragrafi 2 i Kodit Penal, thonë nga Prokuroria Themelore.

Prokuroria ka kërkuar që të akuzuarit t’i vazhdohet masa e paraburgimit.

Të martën Spitali i Tetovës doli me një rregullore përmes së cilës në tashmë është e ndaluar rreptësishtë fotografimi i pacientëve, ndërsa për ta shtruar sigurinë e pacientëve dhe të mjekëve, në spitalin e Tetovës planifikohet që të angazhohet një kompani private e sigurimit dhe vendosja e kamerave të sigurisë.

“Sjelljen e rregullores së re e keni dërguar tek të gjithë përgjegjësit e reparteve dhe ata do ta përcjellin tek të gjithë mjekët, motrat medicinale, teknikët medicinal dhe pastrueset. Arsyeja kryesore është që të ndalohet akte të pahijshme që ndodhën në spital para do ditësh për fat të keq të parandalohen akte të këtilla dhe normalisht të rritet cilësia e shërbimit ndaj pacientëve. Por një ndër masat që do të marrim është edhe vendosja e kompanisë së sigurimit ku me atë do të rrisnim edhe sigurinë e pacientëve dhe të punësuarve por edhe respektimin e orarit të punës”, tha Pëllumb Vela, drejtor i Spitalit Klinik të Tetovës.

Më 14 prill anesteziologu nga Tetova në orët e paradites kishte hyre live në “TikTok” nga dhoma e pastrimit në Gjinekologjinë e Tetovës. Pas shpërndarjes së videos në rrjet dhe raportimit edhe në TV21, drejtori i Spitalit e denoncoi rastin në polici, pas çka anesteziologu u arrestua dhe me propozim të prokurorit, gjykatësi i procedurës paraprake ka caktuar masën e paraburgimit 8-ditor.