Të paktën 10 alpinistë nepalezë rezultojnë të zhdukur pasi një ortek goditi një kamp bazë pranë majës Himlung Himal, në distriktin Manang.
Sipas organizatorëve të ekspeditës, tetë anëtarë të ekipit të kompanisë “Himalaya Holidays Trekking” dhe dy persona nga një kompani tjetër ndodheshin në një pikë ndalese pranë majës, kur orteku përfshiu zonën. Ekipi nepalez ishte dërguar përpara mbërritjes së alpinistëve të huaj për të përgatitur kampin, menaxhuar itinerarin dhe vendosur litarët në mal.
Maja Himlung Himal, me lartësi 7,126 metra, ndodhet pranë kufirit mes Nepalit dhe Tibetit. Ditët e fundit, zona është përfshirë nga reshje të dendura dëbore, duke rritur rrezikun e ortekëve.
Kushtet e këqija atmosferike kanë penguar operacionet e kërkim-shpëtimit. Helikopterët dhe ekipet e shpëtimit nuk kanë mundur ende të mbërrijnë në vendngjarje.
Incidenti ndodh në një periudhë me kushte të vështira atmosferike në zonat malore të Nepalit. Alpinistët u detyruan të largoheshin nga mali Manaslu, një nga majat më të larta në botë, për shkak të rrezikut në rritje të ortekëve.
