“Durrësi si alternativë e Selanikut!”, bizneset në Shqipëri dhe Maqedoni kërkojnë lidhje më të mirë dhe heqjen e doganave për rritjen e tregtisë dhe shkëmbimit

TË FUNDIT

Të rritet shkëmbimi tregtar nga 207 milionë në një miliard euro, të hapen korridore për vendet pa dalje në det, të hiqen barrierat doganore dhe Durrësi të bëhet alternativë e portit të Selanikut, këto ishin porositë kryesore të biznesmenëve nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria në forumin ekonomik “Përtej Kufijve”, që u mbajt sot në Shkup.

Pjesëmarrësit theksuan nevojën për lidhje më të mirë infrastrukturore dhe paraqitje të përbashkët në tregjet e treta.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikoloski, deklaroi se bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve është i mirë, por larg potencialit real. Sipas tij, shkëmbimi tregtar vitin e kaluar arriti në 180 milionë euro, ndërsa në tremujorin e parë të vitit 2026 ka qenë 38 milionë euro.

“Është paradoksale që arrijmë të tregtojmë me Gjermaninë, Francën dhe Britaninë e Madhe, por jo mjaftueshëm me njëri-tjetrin në rajon”, tha Nikoloski, duke shtuar se përveç infrastrukturës nevojitet edhe ndryshim i mentalitetit.

Ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, theksoi se Korridori 8 është projekt strategjik që i vendos dy vendet në hartën evropiane të transportit.

“Shqipëria e sheh Maqedoninë si partner natyror. Është zgjedhje nëse do të mbetemi në periferi apo do të ndërtojmë fqinjësi moderne dhe prosperitet”, deklaroi ai.

Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, Branko Azeski, kritikoi mungesën e bashkëpunimit më të madh ekonomik, duke thënë se “kriminelët po i shfrytëzojnë më mirë avantazhet e bashkëpunimit sesa biznesmenët”.

Në fokus të forumit ishin investimet, infrastruktura dhe turizmi, ndërsa organizatorë ishin Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut dhe Ambasada e Shqipërisë. Forumi i ardhshëm pritet të mbahet në Tiranë.