Durojnë shantazhe e ofendime nga punëdhënësit! Gratë shtatzëna pa pushim të lindjes dhe të larguara nga puna

TË FUNDIT

Punëtoret shtatzëna që nga fillimi i pandemisë me koronavirus janë viktimë e trajtimit çnjerëzor dhe joadekuat nga ana e punëdhënësve në industrinë e tekstilit. Një e punësuar me të cilën kontaktoi TV21 dhe e cila deshi të mbetet anonime, thotë se edhe pse me vendimin e Qeverisë si grua shtatzënë gjatë pandemisë ishte e liruar nga puna me prani fizike, megjithatë punëdhënësi i saj ia ka ulur rrogën në 50%.


“Sipas masave që Qeverisë për gratë shtatzëna, kjo masë qeveritare më takonte edhe mua. Kjo nënkupton se duhet të qëndrojmë në shtëpi dhe se jemi liruar nga puna, shkaku i virusit. Kjo më takon edhe mua. Por, për fat të keq nuk doli ashtu. Kisha ulje të rrogës çdo muaj. Fillimisht merrja 80%, pastaj ma reduktuam rrogën në 60%, kurse tani marr vetëm 50% të rrogës. Nuk i pranon të drejtat që më takojnë. Me shantazhe dhe ofendime më obligonte të shkoja në punë”, tha një puntore.

Kristina Ampeva nga Organizata “Punëtor i zëshëm i tekstilit”, thotë se fatkeqësisht shumë gra shtatzëna gjatë korona-krizës e humbën vendin pune dhe mbetën pa pushim të lindjes. Ajo konfirmon se nga fillimi i pandemisë, shumë punëtore shtatzëna ishin thirrur që të kthehen në punë.



“U paguhej rrogë shumë më e ulët se ajo minimalja, 50 ose 70%, për shkak se pushimi i tillë konsiderohej i arsyeshëm. Megjithatë kjo ishte në barrë të punëdhënësve e jo në barrë të shtetit dhe buxhetit. Punëdhënësit ushtronin presion ndaj gjinekologëve që ata të tregojnë se bëhet fjalë për shtatzënësi patologjike që të mos paguajnë rrogë për shkak se ato nuk janë në punë. Ka edhe të tilla që kishin marrëveshje për një muaj e të cilat tani nuk kanë të drejtë për pushim të lindjes”, u shpreh Kristina Ampeva.

Ampeva mendon se kjo punë mundej të realizohej më mirë nga ana e shtetit për t’i ndihmuar sektorit privat me qëllim që gratë pas lindjes të mos mbeten pa mjete për ekzistencë në momentet kur do të kenë më shumë nevojë. Ajo shton se shteti në këtë periudhë me pandeminë duhej t’u jepte ndihmë të paktën grave shtatzëna dhe atyre që i shfrytëzonin masat nga shteti.

Nga kabineti i zv/kryeministrit për çështje ekonomike nuk morëm përgjigje nëse qeveria me pakon e re të masave planifikon të japë ndihmë edhe për këtë kategori të punëtorëve. Për shkak të krizës, 7 mijë persona mbetën pa punë në industrinë e tekstilit, ndërsa në 2020 ka rritje prej 123%. Kujtojmë se Qeveria e RMV-së sipas vendimit të qeverisë që u publikua në Gazetën Zyrtare, gratë shtatzëna i liroi nga puna dhe nga detyrat e punës me prani fizike në vendin e punës deri në përfundimin e pandemisë me Kovid 19.