Duda mori 43,5 për qind të votave në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, Traskovski 30,5 për qind

TË FUNDIT

Presidenti aktual polak, Andzhej Duda fitoi 43,5 për qind të votave në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të Polonisë që u mbajtën fundjavën e kaluar, transmeton DPA.

Në raundin e dytë të votimit më 12 korrik, Duda do të përballet me kryetarin liberal të Varshavës, Rafal Traskovskin i cili fitoi 30,5 për qind të votave në raundin e parë.

Duda fitoi shumicën e votave në lindje dhe juglindje të vendit, ku platforma e tij konservatore qëndron më së miri, si dhe në qytetet e vogla dhe zonat rurale.

Agjencia gjermane e lajmeve thotë se Traskovski ka fituar në qytetet e mëdha.

Duda mbështetet nga Partia Kombëtare Konservatore e Ligjit dhe Drejtësisë në pushtet. Fitorja e tij eventuale do të konsolidojë fuqinë e partisë në pushtet të paktën deri në vitin 2023, kur janë caktuar zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Nëse, sërish, Duda nuk arrin të fitojë mandatin e tij të dytë pesë-vjeçar, shton agjencia gjermane e lajmeve, fuqia e partisë në pushtet mund të dobësohet, sepse PIS nuk kontrollon shumicën e deputetëve të dhomave të ulëta për të kapërcyer veton presidenciale.

Pas dy kandidatëve të rangut të parë ishte kandidati i pavarur i demokristianëve, Sizimon Holovnia, i cili fitoi 13,9 për qind të votave. Kandidati i grupacionit liberal konservator Konfederaxha, Kshishtof Bosak, ndërkohë, është i katërti me 6,8 për qind. Kandidati i demokristianëve bujqësor, Vladislav Kosinjak-Kamic u rendit në vendin e pestë me 2,4 për qind të votave, me kandidatin presidencial të parë të deklaruar homoseksual, Robert Bedron, duke siguruar 2,2 për qind.

Pjesëmarrja në raundin e parë të zgjedhjeve ka qenë 64,5 për qind, më e larta në 25 vitet e fundit, transmeton DPA./MIA