Drin Ahmeti kapet me mjete piroteknike/ Reagojnë partitë opozitare, kërkojnë përgjegjësi penale

TË FUNDIT

Zyrtarë policorë dje kanë arrestuar Drin Ahmetin, djalin e vëllaut të kreut të BDI-së, Ali Ahmeti. Ai është ndaluar me veturë të tipit “Range Rover”, ndërsa gjatë kontrollit policor, në veturë i janë gjetur gjithsej 749 mjete piroteknike.

“Sot në ora 19:50 në rrugën “Samoilova” në Shkup, zyrtarë policorë kanë ndaluar automjetin të tipit “Range Rover” me targa të Shqipërisë, e drejtuar nga D.A (25) nga fshati Zajaz-Kërçovë. Gjatë kontrollit të automjetit, janë gjetur 749 mjete piroteknike. Personi është arrestuar në stacion policor dhe pas dokumentimit të rastit, do të ngritet kallëzim adekuat penal.”- konfirmuan nga MPB.


Për arrestimin e Drinit nuk munguan reagimet e partive politike. Sipas Alternativës, Drin Ahmeti është viktimë e pasionit për para dhe pasuri nga xhaxhai i tij Ali Ahmeti.

“Ashtu siç e kemi thënë qëmoti, dardha bie nën dardhë. Krimi i mbjellë nga xhaxhai dhe babai, tash i ha edhe fëmijët e tyre. Drin Ahmeti është viktima e pasionit të xhaxhait të tij, Ali Ahmeti, për pasuri dhe para. Nëse do të funksionojë shteti ligjor, Drin Ahmeti duhet të dënohet me disa vite burg.”- thanë Alternativa.
Nga Lëvizja Besa thonë se nëse nuk përgjigjet penalisht Drin Ahmeti, atëherë edhe institucionet bashkëpunojnë me të.

“Ky është skandal i pafalshëm. Kjo tregon se morali dhe etika tek këto pushtetarë paska ikur moti. Nëse nuk ka përgjegjësi atëherë do të thotë se edhe krerët e institucioneve përkatëse bashkëpunojnë me Drin dhe Ali Ahmetin.”- akuzuan nga Lëvizja Besa.


Nga VMRO-DPMNE pyesin nëse mjetet piroteknik që u kapën te Drin Ahmeti, janë me frymë europiane?

“Qeveria duhet të përgjigjet: Me atë se Ali Ahmeti është pjesë e “koalicionit europian”, e mbrëmë milioneri Drin Ahmeti përpos që e bleu Soravian, kuptuam se ka kontrabanduar mjete piroteknike. Pyesim nëse janë europiane mjetet piroteknike, nga cili vend europian vijnë, vallë zëri që lëshojnë është europian dhe a e kanë informuar Komisionin Europian për reformën e tyre me mjete piroteknike?”- deklaroi Naum Stoillkoski – Zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.
Nga Prokuroria Publike thonë se janë të njoftuar me rastin dhe sapo të kenë ekspertizë zyrtare për mjetet piroteknike, prokurori publik do të veprojë në procedurë të mëtejme.

“Për ngjarjen është njoftuar prokurori publik. Varësisht prej fakteve që do të vërtetohen me ekspertizën e mjeteve të gjetura piroteknike, prokurori publik do të vendosë për procedurën e mëtejme.”- pohuan nga Prokuroria Publike.

Përndryshe sipas nenit 396 të Kodit Penal, ai që pa leje përpunon, mbanë, shet, blenë ose këmben armë zjari, municion apo materje eksplozive, do të dënohet me burg prej tre deri në dhejtë vjet. Nëse lëndë e veprës nga paragrafi paraprak është sasi më e madhe e armëve të zjarit, municion apo materje eksplozive të cilat për qytetarët janë të ndaluara, kryerësi do të dënohet me burg prej së paku pesë viteve.