Drejtori i spitalit të Strumicës, Naqe Gogov, nëpërmjet rrjetit social Facebook, ka kërkuar donacion për blerjen e autoambulancave të reja, raporton TV21.
Siç shkruan Gogov, autoambulancat aktuale janë të vjetruara, shpesh edhe prishen, ndërsa spitalit i duhen autoambulanca të reja sidomos tani me virusin korona.
Ai shtoi se është i vetëdijshëm se donacionet nuk duhet të kërkohen në këtë mënyrë.
“Të dashur miq, bashkëqytetarë të mi, e di që donacionet nuk duhet kërkuar në këtë mënyrë, por për shkak të numrit të vogël të autoambulancave, sepse ato janë të vjetruara dhe shpesh të prishura, për shkak të situatës në të cilën ndodhemi me virusin korona ku transporti i pacientëve është rritur disa herë – automjetet spitalore janë 24 orë të përfshira në transportimin e pacientëve nga spitali ynë në qendrat klinike dhe anasjelltas, ne si “ISHP Spitali i Përgjithshëm – Strumicë” kemi nevojë për një autoambulancë të re që do të jetë në dobi të madhe për të gjithë qytetarët e Strumicës dhe rajonin e Strumicës. Të organizohemi dhe të ndihmojmë vetveten. Unë ju kërkoj të gjithëve që jeni në gjendje dhe doni të dhuroni nga zemra, sipas dëshirës tuaj. Dononi në xhiro-llogarinë: 660270170248596. Shpresoj se do ta tregojmë njerëzimin në veprim. Ju lutemi shpërndajeni statusin”, shkruan në Facebook, drejtori i Spitalit të Strumicës.
