Cristiano Ronaldo ka dhënë sinjalin më të qartë deri tani se mund të tërhiqet nga futbolli në fund të sezonit aktual, duke thënë se “ndoshta ky është viti im i fundit”, përcjell TV21. 41-vjeçari, kontrata e të cilit me Al Nassr skadon në qershor të vitit 2027, ka pranuar më parë se pensionimi është afër, por deri tani nuk kishte përcaktuar një afat të qartë për fundin e karrierës.
Megjithatë, në një intervistë për Vogue, të publikuar të dielën, Ronaldo deklaroi: “Ky ndoshta është viti im i fundit në futboll dhe dua të lë pas një trashëgimi spektakolare.”
Ronaldo kishte thënë nëntorin e kaluar se priste të vazhdonte të luante edhe “një ose dy vite”, ndërsa kishte konfirmuar se Botërori 2026 do të ishte i fundit për të. Portugalia u eliminua nga Spanja në fazën e 1/8-ave, ndërsa Ronaldo më pas nuk kishte treguar saktësisht se kur do t’i jepte fund karrierës.
Tashmë, portugezi ka thënë se ka nisur të planifikojë jetën pas futbollit dhe mezi pret të kalojë më shumë kohë me familjen.
“E kam të gjithë të ardhmen të planifikuar. Kam aq shumë gjëra që më mbajnë të zënë, saqë është e vështirë të përmend vetëm një”, tha Ronaldo.
Ai shtoi se pas përfundimit të futbollit dëshiron të udhëtojë më shumë, të luajë padel dhe të shijojë atë që ka fituar gjatë karrierës së tij. Ronaldo e nisi karrierën te Sporting CP, përpara se të luante për Manchester United, Real Madrid, Juventus dhe, që nga janari i vitit 2023, Al Nassr. Nëntë sezonet te Real Madridi ishin periudha më e suksesshme e karrierës së tij, ku shënoi 450 gola në 438 paraqitje, rekord i klubit. Pesë herë fituesi i Topit të Artë shënoi tre gola në Botërorin e këtij viti, ndërsa Portugalia u eliminua në fazën e 1/8-ave.
