Drejtoresha nuk i lejoi ekipit të TV21 të incizojë, salla e leximit në Bibliotekën Universitare me dukje të re

TË FUNDIT


“-Ju jeni drejtoresha?
-Po, por ne u morëm vesh që të vini pas janarit për të incizuar.
-Pse? Vetëm me ftesë mundet? Nuk mundemi tani derisa zgjasin aktivitetet?
-Nuk kanë përfunduar ende.
-A mund t’i pyesim studentët a janë të kënaqur nga kushtet?
-A mund të incizojmë tani se si duket?
-Jo”, tha Jelisaveta Kostadinova, u.d. drejtoreshë e Bibliotekës Universitare “Shën Klimenti i Ohrit”.


Kështu na u përgjigj u.d. drejtoresha e Bibliotekës Universitare “Klimenti i Ohrit”, kur tentuam të mësojmë cilat janë kushtet dhe deri ku janë aktivitetet për rinovimin e këtij institucioni. Edhe pse bëhet fjalë për një institucion publik, ajo konsideron se bibliotekën mund ta vizitojmë vetëm kur do të na ftojë ajo. Por, TV21 posedon disa video-materiale, janë të vjetra, por tregojnë qartë se si duket biblioteka e vetme kombëtare në kryeqytet. Në ndërkohë, filloi rinovimi i saj, por fatkeqësisht procesi ec me ritëm të ngadaltë. Drejtoresha e bibliotekës thotë se deri në fund të janarit do të përfundojnë të gjitha aktivitetet, pas çka do të na thërrasë për të incizuar.

“Një sallë leximi është rinovuar tërësisht. Në sallën e dytë të leximit është ndërruar dyshemeja dhe karriget, por ka disa aktivitete të cilat kërkojnë kohë për të përfunduar. Kur do të mbarojë gjithçka, kah fundi i janarit, do t’i thërras të gjithë gazetarët që të shohin çka është bërë”, tha Kostadinova.

Pas përfundimit të zgjedhjeve (gjatë të cilave nuk guxonte të shpalleshin furnizime publike) në nëntor të vitit 2021 ishin shpallur dy furnizime publike (një për ndërrimin e dyshemeve dhe një për furnizim të inventarit të ri – karrige për sallat leximi), të cilat ishin realizuar pas lidhjes së marrëveshjeve me operatorët ekonomikë. Në procedurë është edhe vendosja e instalimeve të reja elektrike në sallën leximi, me çka lexuesit do të kenë në dispozicion kushte më të denja për ta shfrytëzuar fondin librash me të cilin disponon biblioteka “Klimenti i Ohrit”.