Drejtor i ri – faqe e re, shqipja fshihet nga QIK-u! Dimitrov premton se do ta përdor shqipen: “Na duhet pak kohë”

TË FUNDIT

Kështu dukej faqja e Qendrës informative kulturore. Publikimet dhe gjithçka tjetër ishin në gjuhën maqedonase dhe atë shqipe. Mirëpo me ardhjen e drejtorit të ri, Antonio Dimitrov nga radhët e partisë “E majta”, u ndërrua faqja e QIK-ut. Tashmë tre ditë është hapur një faqe e re dhe e njëjta është vetëm në gjuhën maqedonase.

TV21 kontaktoi drejtorin e ri për ta pyetur se përse ka hapur faqeje të re dhe nuk po e përdor gjuhën shqipe. Dimitrov tha se nuk është kundër përdorimit të shqipes, por shton se i duhet kohë derisa ta rregullojë faqen e re në dy gjuhë.

“Është ndërruar personi që mirëmban faqen, sepse na ka mbaruar kontrata me hostingun e vjetër, prandaj tani kemi një të ri. Faqen e re ende nuk e kemi dizajnuar si duhet, nuk do ta largojmë shqipen, nuk mund ta fshijmë historinë, për 12 vite ka qëndruar ashtu”, tha Antonio Dimitrov, drejtor i QIK.

Drejtori në fjalë është përzgjedhur Qyteti i Shkupit, ku shumicë janë VMRO-DPMNE dhe Aleanca për Shqiptarët. Prandaj e pyetëm kreun e ASh-së Ziadin Selën se si e komenton veprimin e drejtorit në fjalë, kur nënkryeatre e Shkupit është Bujare Abazi nga partia e tij. Sela distancohet nga përgjegjësia duke thënë se pozita e nënkryetares është vetëm post ceremonial.

 “Çfarë është pozicioni nënkryetare e Qytetit të Shkupit a e keni të qartë? Le ta sqarojmë pozicionin nënkryetar qyteti ose komune, çfarë është ky pozicion. E them për hirë të opinionit që të sqarohemi duke shfrytëzuar pyetjen tuaj. Është një post ceremonial, i shpikur, për të thënë që ja kemi marrë një nënkryetar i qytetit të Shkupit. I shpikur jo nga ne, por në kohën kur me Shkupin menaxhonte BDI dhe LSDM për të tregu arritjen e madhe”, theksoi Ziadin Sela, kryetar i ASh-së.

Sela ftoi inspektoratin e gjuhëve që të inspektojë dhe dënojë çdoherë që shkelet ligji për përdorimin e gjuhëve. Ndryshe në 12 vitet e fundit në krye të QIK-ut ka qenë Serime Purrini nga BDI.