Fjalimin e tij të fundvitit, presidenti Stevo Pendarovski e filloi me një minutë heshtje për viktimat e fatkeqësisë në Bullgari, e zjarrit në spitalin modular në Tetovë, por edhe për të gjithë ata që jetën e humbën si pasojë e virusit me Kovid-19. Më pas foli për reformat në sundimin e së drejtës.
“Reformat në sferën e sundimit të së drejtës janë prioriteti më i rëndësishëm i shtetit dhe sipas vlerësimit tim ato do të jenë, dhe duhet të jenë edhe në vitet që janë para nesh, krejtësisht të pavarura nga ritmi ynë i afrimit drejt Brukselit. Dëshpëron veçanërisht fakti se, për fat të keq, të gjitha hulumtimet relevante të mendimit publik e dëshmojnë ndjenjën në rritje të qytetarëve se në shtet sundon kultura e mosdënimit”, tha Pendarovski.
Bllokada bullgare në rrugën e vendit drejt BE-së nuk duhet të jetë arsyeja që të marrim vendime të përshpejtuara duke i pasur parasysh linjat tona të kuqe, tha Pendarovski në lidhje me kontestin me fqinjin lindor. Sipas tij nuk ka dilemë se nuk ka opsion tjetër përveç BE-së, megjithatë nëse çmimi për këtë është identiteti ynë atëherë çmimi është tepër i lartë, tha shefi i shtetit.
“Përndryshe, nga fillimi i bllokadës bullgare, deri më sot, unë jam për një qasje të kujdesshme dhe të reflektuar në negociatat, pa kthesa të menjëhershme sepse bëhet fjalë për çështje të interesit absolutisht më të lartë nacional, ndërsa kur jeni të ballafaquar me një sfidë të një kalibri të tillë, shpejtimi nuk është gjithmonë aleati juaj më i mirë. Nuk kemi dilemë në lidhje me faktin se integrimet evropiane nuk kanë alternativë tjetër për ne, por, ato gjithsesi kanë çmimin e vet. Nëse ky çmim nënkupton heqje dorë nga identiteti ynë, nuk shoh politikan te ne i cili dëshiron ta shesë popullin e vet për integrime të tilla”, deklaroi më tej Pendarovski.
Pendarovski foli edhe për largimin e të rinjve nga shteti. Kjo dukuri është alarmante dhe ne si shtet duhet të bëjmë gjithçka që t’i mbajmë këtu për shkak se nuk bëhet fjalë vetëm për ekzistencën por edhe për mosbesimin te shteti.
“Shumë hulumtime pohojnë se emigrimi i bashkëqytetarëve tanë, në një masë të madhe, nuk shkaktohet vetëm për arsye ekzistenciale, por edhe nga cilësia e jetës. Me fjalë të tjera, njerëzit shkojnë në ato shtete ku ka drejtësi, aty ku edhe më të pasuri edhe më të fuqishmit përgjigjen për shkeljen e ligjeve, si edhe njerëzit që janë shtyrë në periferi të jetës”, tha mes tjerash Pendarovski në fjalimin e fundvitit.
Në fund Presidenti porositi se duhet të ndalen ndarjet mes qytetarëve, se mbetëm pak në atdhe dhe nuk na duhen ndarje të tjera. Theksoi se e ardhmja do të varet nga vendimet që do të sillen, prandaj pret që Qeveria e re t’u përkushtohet problemeve reale të qytetarëve.
