Nëse Maqedonia nuk i miraton ndryshimet kushtetuese dhe me këtë nuk e vazhdon procesin e eurointegrimit, ka rrezik që të gjendet në grupin e vendeve me çështje të hapura. Kështu paralajmëroi shefi i diplomacisë Bujar Osmani, në intervistë në emisionin Click Plus në TV21 duke thënë se opozita me refuzimin që t’i përkrahë ndryshimet kushtetuese, po udhëheq politikë të paarsyeshme. Dera e hekurit të BE-së po hapet në këto momente gjeopolitike me Ukrainë dhe hyrja përmes korsisë së shpejtë të integrimit, për Maqedoninë në këtë moment është proces vendimtar, tha Osmani.
@Tani e kemi momentin gjeopolitik për shkak të Ukrainës, tani vendimi është nëse ne jemi të gatshëm. Pa ndryshimet kushtetuese, ne nuk jemi të gatshëm. Mali i Zi dhe Shqipëria do të hyjnë në korsinë e shpejtë ndërsa ne do të hyjmë në grupin e vendeve me çështje të hapura. Atëherë, ata ekspertë që po thonë se ne kemi proces dypalësh, do të kuptojnë se çfarë do të thotë proces dypalësh. Kur BE-ja ju tregon zgjidhni çështjen me Bullgarinë, ashtu siç Serbia do ta zgjidhë me Kosovën dhe Kosova me Serbinë, ose Bosnja e Hercegovina me Republikën Sërpska , po hyni në këtë grup. Këtë ia bën shtetit opozita me politikën e saj të paarsyeshme. Derisa kemi shans në muajt e ardhshëm le të hyjmë në këtë korsi të shpejtë bashkë me Shqipërinë dhe Malin e Zi”, tha Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.
Për integrimin europian të vendit është folur edhe në takimin e sotëm të punës në Tiranë që komisari për zgjerim, Oliver Varhejli, e ka pasur me kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe zv.kryeministrin Bojan Mariçiq. Viti 2030 është ambicioz por edhe datë e kapshme, e ardhmja e politikës për zgjerim është e hapur dhe është vendosur qëllimi për të cilin edhe shtetet e Ballkanit perëndimorë dhe BE të përgatitemi, ka shkruar Mariqiç pas takimit. Ai dje ka marrë pjesë edhe në Forumin në temën “E ardhja europiane e Ballkanit Perëndimor”.
“Mendoj se deri në fund të këtij viti dhe fillimi i vitit tjetër është termini kur duhet të bëhet Agjenda e re 2030, që do të thotë se ne me atë nuk do të fitojmë asgjë të gatshme. Kjo do të thotë se kemi mundësi për vitin 2030 si datë e mundshme për pranimin e atyre që do të jenë të gatshëm për këtë”, theksoi Bojan Mariçiq, zv.kryeministër për Çështje Europiane.
Për vazhdimin e procesit të integrimit europian, vendi jonë duhet të sjellë ndryshimet kushtetuese që janë kusht për vazhdimin e negociatave me BE-në.
