Rruga e cila të çon në fshatin Koliçan, pjesa prej në Draçevë deri tek manastiri është përplot me gropa. Disa banorë të këtij fshati ankohen se kanë kaluar 20 vite dhe se aty nuk është punuar asgjë.
“Rruga është shumë e dëmtuar, të themi të drejtën ka 20 vite kjo rrugë nuk është rregulluar. Prej atëherë nuk është rregulluar asnjëherë? Pjesërisht, vende-vende, por të jetë në një pjesë më të madhe nuk ka. Edhe anash krahët janë tepër të dëmtuar të kësaj rruge, por ka edhe vizitorë shumë në këtë pjesë që shkojnë deri te Manastiri, por ka edhe vizitorë tjerë që shkojnë më lartë, malit i bëjnë vizitë”, tha Hamit Aliti, banor i Koliçanit të Epërm.
Një banor tjetër thekson se i kanë shkruar kryetarit të komunës së Kisella Vodës Orce Gjeorgjievskit, të cilit i kanë kërkuar ta rregullojë këtë rrugë por nuk kanë marrë asnjë përgjigje.
“Këtë rrugë e kaloj çdo ditë, kjo rrugë është katastrofë, kemi problem çdo ditë me rrugën. Siç e shihni automjetet kalojnë në çdo 5 minuta, autobusi kalon në çdo gjysmë ore, kjo rrugë është katastrofë për këmbësorët, jo për veturat. Ne kemi qenë edhe te kryetari, i kemi shkruar edhe në faqen e ‘mesenxherit’ asnjë përgjigje nuk kemi”, pohoi Muhamed Feratovski, banor i Koliçanit të Poshtëm.
TV21 pyeti në komunën e Kisella Vodës për këtë problem, nga ku na thanë shkurt sanimi i rrugës do të bëhet në pranverën e ardhshme.
