Edhe pse në gjendje të jashtëzakonshme, vazhduan përplasjet ndërpartiake mes dy partive më të mëdha në vend lidhur me atë se kush çfarë ka bërë për qytetarët.
Prej mëngjesit deri në orën 12 sot nga dy partitë dërguan mbi 5 kumtesa dhe reagime të atyre kumtesave.
Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se propozimet e tyre Qeveria aspak nuk i shqyrton.
“Para disa javësh unë vetë ofrova që të shkoj në Qeveri dhe ta prezantoj analizën tonë profesionale të propozimeve tona. Do t’ju tregoj se pse ofrova një gjë të tillë, sepse po shikoj se pushtetit i duhet ndihmë dhe shikoj se jo vetëm se mungon vullnet të sinqertë por ata nuk i kuptojnë punët që duhet bërë për shpëtim të ekonomisë”. – tha Hristian Mickoski, Lider i VMRO-DPMNE-së
Nga LSDM-ja thonë se masat e propozuara përfshijnë numër të madh qytetarësh që janë prekur nga kriza, e jo si masat e DPMNE-së të cilat sipas tyre përfshijnë vetëm një grup të përcaktuar dhe sjellin më pak para në ekonominë.
“Analizat tregojnë se masat që i propozon VMRO-DPMNE përveç se janë joserioze dhe të papërgjegjshme, janë masa për përkrahje të qytetarëve që marrin rroga më të larta dhe që kanë fuqi më të madhe të blerjes” tha Fatmir Bytyqi, LSDM
Nga VMRO-DPMNE-ja shtojnë se me mospranimin e masave të tyre, qeveria nuk u ofron ndihmë të drejtpërdrejtë kompanive dhe të punësuarve për subvencion deri në 50% për bruto rrogë për çdo të punësuar ose ndihmë në para deri në 27 mijë denarë për çdo të punësuar.
Nga LSDM-ja thonë se gjatë sjelljes së masave kishin kujdes për çdo qytetar duke theksuar se të paktën 250 mijë punëtorë dhe 36 mijë kompani janë në rrezik në këto momente për shkak të pandemisë me koronavirusin.