Kryetarja e parlamentit norvegjez, Eva Kristin Hansen mbrëmë ka dhënë dorëheqje pasi u zbulua se Parlamenti ka paguar shpenzimet për banesë në Oslo, edhe pse ajo me vite posedon shtëpi me bashkëshortin e saj në afërsi të kryeqytetit.
Hansen (48) deklaroi për televizionin norvegjez NRK se mendon se është e paqëndrueshme që Parlamenti të ketë një kryetar që është nën hetim të policisë.
Megjithatë, ajo është paraqitur se jeton në Tromso, për çka ka të drejtë të shfrytëzojë banesë në kryeqytet, me shpenzime që i paguan Parlamenti.
Hansen thotë se gabimisht i ka interpretuar rregullat, që duket se u ka ndodhur edhe disa politikanëve të tjerë norvegjezë, njofton DPA.
Në shtator, ministri i Familjes, Kjel Ongolf Ropstad dha dorëheqje pasi mësoi se është regjistruar në adresë tek prindërit e tij edhe pse jeton me familje në Oslo.
Prokuroria kumtoi mbrëmë se edhe gjashtë deputetë janë nën hetim për problem të ngjashme me vendbanimin.
