Të punësuarit në Doganë përmes një proteste paralajmëruese kërkojnë të drejtën e tyre për pagesë shtesë prej 30% nga paga e tyre e rregullt, e për të cilën thonë se u takon sipas nenit 67 paragrafi 3 nga ligji i doganave. Këto shtesa prej 30% ata thonë se duhet t’i marrin për shkak kushteve dhe përgjegjësive të posaçme në punë.
“Edhe pse ky nen është i paraparë në marrëveshjen kolektive për të punësuarit në drejtorinë e doganës, asnjë i punësuar, asnjëherë nuk e ka marë këtë shtesë dhe kjo shtesë asnjëherë nuk është evidentuar në listat e pagave të të punësuarve”, tha Tërpe Deanoski, kryetar i Sindikatës së Administratës.
Deanoski thotë se gati të gjitha sindikatat kërkojnë protesta dhe nuk përjashtohet mundësia që të organizojnë protesta të përbashkëta gjenerale të administratorëve. Sa i përket mbylljes së kufijve, shprehet që kjo çështje do të diskutohet brenda organeve të sindikatës.
“Do të njoftoheni, duhet të bisedohet me organet tona të shohim nëse janë të përgatitur mirëpo pakënaqësitë janë të mëdha”, pohoi Tërpe Deanoski, kryetar i Sindikatës së Administratës.
Nuk kaluan pak minuta, para protestuesve u paraqit drejtori i ri Drejtorisë së Doganave Stefan Bogoev. Protestuesit e mirëpritën me duartrokitje.
Ai kërkon kohë dhe mirëkuptim sepse sapo është emëruar drejtor.
“Mirdita të gjithëve. Dua t’u prezantohem unë jam drejtori i ri Stefan Bogoev. Më vjen mirë që ju shoh, shpresoj se do t’iu takoj të gjithëve veçmas. Para pak ditësh kuptova për protestën e sotme. Pjesërisht jam i njohur me situatën nga bisedat me shërbimet. Do të doja me përfaqësuesit e sindikatës të kemi një bisedë më të detajuar rreth kërkesave sepse jemi në koordinim edhe me DAP dhe tanimë kemi dakorduar takime në Ministrinë e Financave me iniciativë timen si drejtor sapo i ardhur me ministrin, ku mes tjerash normalisht do të diskutohet edhe kjo çështje”, deklaroi Stefan Bogoev, drejtor i Drejtorisë së Doganave.
Përndryshe Bogoev ka vetëm 1 ditë që kur e ka marrë funksionin e tij si drejtor i Doganave dhe shpreson që assesi të mos vijë puna deri te bllokimi i kujfijve.