Do të votohet deri në orën 21:00? Do të ketë mitingje dhe fushatë derë më derë

TË FUNDIT

Në qoftë se muajin e ardhshëm ka zgjedhje, atëherë ato do të realizohen me protokolle të veçanta. Dita e zgjedhjeve do të zgjasë dy orë më shumë, respektivisht do të mund të votohet deri në orën 21, do të ketë mitingje, por me numër të kufizuar, kurse do të zbatohet edhe fushata derë më derë.

Në vendvotim do të mund të hyjnë aq persona sa ka kuti votimi, kurse votuesit do të duhet ta heqin maskën e tyre që të mund të identifikohen.

Oliver Derkovski për TV21, shpjegon – që të ketë zgjatje të ditës së zgjedhjeve, do të duhet të ndryshohet ligji, e pasi kemi Kuvend jofunksional, do të duhet të vazhdohet gjendja e jashtëzakonshme dhe Qeveria të sjellë Dekret me fuqi ligjore për ndryshim të Kodit Zgjedhor.

“Në vendvotim do të pritet në distancë prej 2 metrash dhe gjatë hyrjes do të duhet të bëhet dezinfektimi i duarve. Nëse ka mundësi, gjë për të cilën duhet të konsultohet KSHZ-ja, rekomandohet zgjatja e kohës për votim për 2 orë shtesë, me qëllim që të shmangen turma të mëdha”, tha Venko Filipçe, ministër i shëndetësisë.

Aktivistët në shtabe partiake do të mund të qëndrojnë më së shumti 2 orë, kurse nga Ministria e Shëndetësisë thonë se do të kërkojnë nga Presidenti i shtetit ta vazhdojë gjendjen e jashtëzakonshme.

“Ne kemi nevojë që gjendja e jashtëzakonshme të vazhdohet, sepse disa nga masat që i rekomandojmë vlejnë gjatë gjendjes së jashtëzakonshme. Është me rëndësi të kemi instrumente në dorë, të punojmë me këto mekanizma në drejtim që masat restriktive dhe dekretet të vazhdojnë të vlejnë, sepse ende është e rëndësishme të kemi instrumente me të cilat do të mundemi që përmes Qeverisë t’i zbatojmë rekomandimet e Komisionit”, tha Venko Filipçe, ministër i shëndetësisë.

Nesër do të mblidhet Këshilli i Sigurisë tek shefi i shtetit, i cili duhet të vendosë nëse do ta vazhdojnë gjendjen e jashtëzakonshme. Vendimin që ka të bëjë me udhëtimin e funksionarëve jashtë Maqedonisë, i pari do ta shfrytëzojë ministri i Shëndetësisë, i cili sot do të shkojë në Greqi ku do të takohet me homologun e tij. Tema e bisedës mes dy ministrave do të jetë sezoni veror dhe hapja e kufijve.