Do të thellohet kriza me punëtorët? Çdo i pesti banor ka menduar largimin nga Gjermania

TË FUNDIT

Një në çdo pesë banorë në Gjermani ka deklaruar se ka menduar të largohet nga vendi, tregon një sondazh i Qendrës Gjermane për Hulumtime mbi Integrimin dhe Migracionin, transmeton DPA, përcjell TV21.

Ndër të anketuarit, 21 për qind kanë thënë se kanë menduar për emigrim. Tek gjermanët pa prejardhje emigrante, kjo përqindje arrin 17 për qind, ndërsa ata që vetë kanë emigruar në Gjermani kanë dyfish më shumë gjasa të mendojnë për largim nga vendi (34 për qind).

Arsyeja më e zakonshëm është shpresa për një jetë më të mirë, të cilën e kanë përmendur gati gjysma e atyre që mendojnë të largohen. Personat me prejardhje emigrante shpesh përmendin edhe rastet e diskriminimit si arsye.

Megjithatë, planet konkrete për emigrim janë të rralla, vetëm 2 për qind kanë ndërmend të zhvendosen jashtë vendit brenda një viti.

Sipas të dhënave të Shërbimit Federal të Statistikave, gjatë vitit 2024, 1,2 milion njerëz e kanë lënë Gjermaninë.

Në studim vihet re se në debatet publike mbi emigracionin shpesh injorohet fakti që njerëzit largohen rregullisht nga Gjermania – një tendencë që ndikon në zhvillimin demografik dhe mungesën e fuqisë punëtore në vend.

Përqindja më e lartë e prirjes për emigrim është vërejtur tek personat me lidhje familjare në Turqi, Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut (39 për qind), pasuar nga emigrantët nga ish-Bashkimi Sovjetik (31 për qind) dhe vende të tjera të BE-së (28 për qind).

Studimi përfshiu 2.933 persona dhe u realizua nga vera e vitit 2024 deri në verën e vitit 2025.