Dy kandidatët në balotazh për komunën e Bogovinës janë në ditët e fundit të fushatës zgjedhore para zgjedhjeve të 2 nëntorit. Besnik Emshiu nga AKI dhe Feti Abazi nga VLEN po shfrytëzojnë ditët e fundit për të bindur bashkëqytetarët se oferta e tyre është më e mira për komunën.
Emshiu, i cili po kërkon edhe një mandat të ri, premton mbyllen e projekteve të nisura dhe nisjen e të rejave.
“Ne gjatë mandatit katër vjetar kemi realizuar shumë projekte dhe ndër projektet kryesore që kemi realizuar janë, rruga e asfaltuar Pirok, rruga e asfaltuar Bogovinë-Sellcë e keqe dhe rruga e asfaltuar Hit Oil magjistrale dhe përveç këtyre jemi duke punuar për ujin në vendbanimin Pirok, nga Rakoveci në rezervuar, projektet tjetër i rëndësishëm ka qenë dhe uji në vendbanimin Pallaçishtë i cili është realizuar, kemi realizuar edhe shumë projekte të tjera por projektet që mendojmë t’i realizojmë është edhe salla sportive në Bogovinë”, tha Besnik Emshiu – kandidat i AKI-së për kryetar të Bogovinës.
Abazi nga VLEN thotë se në këto ditë të mbetura për fushatë po mundohet të takojnë çdo banor për tia paraqitur vizionin e tij për Bogovinën.
“Në ditët e ngelura që kanë ngelur deri në zgjedhje ne mundohemi që ta shfrytëzojmë maksimalisht kohën të përcjellim mesazhin apo projektet e programit tonë që planifikojmë të realizojmë gjatë mandatit katërvjeçar dhe në 20 ditshin e parë jemi munduar maksimum por vazhdimi i asaj është edhe këto ditët e fundit deri tek qytetari i fundit, mundësisht të jemi sa më të qartë sa më konkret dhe të përcjellim mesazhin ashtu siç i ka hije. Fokusi më i madh është tek ujësjellësit, infrastruktura kryesore me projekte kapitale për rrugë dhe kanalizime”, u shpreh Feti Abazi – kandidat i VLEN-it për kryetar të Bogovinës.
Komuna e Bogovinës ka 29 mijë votues dhe është një nga shatë komunat rurale të rajonit të Pollogut.
