Zeneli sapo doli nga namazi i drekës.
Ai thotë se prej moshës 7 vjeçare, është agjërues i rregullt dhe falës i rregullt i namazit. Zeneli thotë se kur vjen koha e agjërimit, ndjehet më i lehtësuar shpirtërisht dhe është i kënaqur që e pret edhe këtë vit muajin e bekuar të Ramazanit.
“Ramazan kam nis me mbajt në moshën 7 vjeç, prej atëherë deri më sot nuk e kam prishur Ramazanin, gjithmonë e kam mbajtur. Më i shëndetshëm jam gjatë ramazanit, sesa herëve tjera. As nuk më hahet, e as nuk më pihet. Më lehtë ndjehem, më aktiv jam. Edhe me ramazan punoj. Përpara kam punuar më shumë, tashmë jo”, tha Zenel Ismaili, qytetar.
Gjithashtu imami i xhamisë, Abdusamed Zeqiri, flet për rëndësinë e Ramazanit dhe përgatitjet e tyre për këtë muaj.
“Në xhaminë e Mustafa Pashës, si në çdo xhami në Muftininë e Shkupit kemi aktivitete dhe posaçërisht theks më të veçantë janë ligjëratat e Ramazanit, apo freskitë e muajit të Ramazanit. Në xhaminë tonë kemi 4 ditë ligjërata, pas namazit të iqindisë në gjuhën shqipe, ka edhe dy ditë në gjuhën turke. Falja e namazeve pesë kohë, gjithashtu edhe teravitë së bashku, gjithashtu edhe njoftime me xhematin, ku do të ketë edhe pyetje të ndryshme si dhe ushqimi i preferuar”, u shpreh Abdusamed ef. Zeqiri, Imam në Xhamin e Mustafa Pashës.
Agjërimi është një nga pesë shtyllat e Islamit dhe zgjat nga agimi deri në perëndimin e diellit për rreth 30 ditë me radhë. Në fund të Ramazanit vjen Fitër Bajrami, apo festa e përfundimit të agjërimit. Për të gjithë skamnoret nëpër myftinitë e vendit do të ketë iftar falës që do të përgatitet nga donatorë të ndryshëm së bashku me Bashkësinë Islame të Maqedonisë.
Përgatiti: Zimer Jashari
