Dita e Europës në parkun e Gazi Babës / Geer: Festojmë unitetin dhe diversitetin

TË FUNDIT

Parku i Gazi Babës në Shkup u mbush me njerëz e posaçërisht fëmijë, të cilët kishin ardhur për të shënuar Ditën e Evropës. Në mesin e shumë qytetarëve motin e mirë e shijonte edhe euro ambasadori David Geer. Ai foli për rëndësinë e shënimit të kësaj dite dhe pamjen e bukur të Parkut të Gazi Babës.


“Ky është një nga sekretet e mëdha të Shkupit. Është një park magjik me një pamje të bukur të gjithë qytetit dhe me shumë gjelbërim. Kjo është arsyeja pse ne jemi sot këtu për të festuar edhe një herë Ditën e Evropës me shumë aktivitete për të gjithë – për fëmijët, për të rriturit, ka gara, natyrë, ushqim dhe muzikë të mrekullueshme. Një vend i gëzuar për të festuar Ditën e Evropës, për të festuar unitetin dhe diversitetin, si dhe këtë qytet të madh dhe njerëzit e tij të mrekullueshëm që janë pjesë e kësaj ngjarjeje”, tha euroambasadori David Geer.

Valon Salihu nga EU House-Shkup tregoi rreth aktiviteteve që kanë shënuar gjithë javën e Evropës.


“E nisëm javën me një event në Manastir ku Evropa House hapi një kënd të ri të shtunën e kaluar. Gjatë kësaj jave kemi pasur një ngjarje në Strumicë dhe Kriva Pallankë. Ne patëm një delegacion të mirëpritur në Çarshinë e Vjetër të Shkupit dhe sot jemi këtu në parkun e bukur në Gazi Babë ku tashmë po mblidhen njerëzit”, tha Valon Salihu, nga EU House, Shkup.

Ai theksoi se gjatë ditës do të ketë koncerte të grupeve të këtij vendi, ku do të këndojnë Vllatko Stefanovski, Këpurdhat, Crno Sobranie dhe bende tjera. Eventi u organizua nga Europe House- Shkup dhe synon të mbledhë njerëz nga profile të ndryshme dhe të tregojë vlerat e idesë evropiane se “e ardhmja na lidh”.