Qytetarët më shumë janë të diskriminuar në vendet e punës, mbi baza etnike dhe gjinore. Këtë sot e bëri të ditur Akademia për gjykatës dhe prokurorë publik ‘Pavel Shatev’.
Diskriminim në bazë etnike e gjinore në vendet e punës, janë sferat ku qytetarët ndjehen më së shumti presion. 300 ankesa kanë mbërritur deri te Akademia për gjykatës dhe prokurorë publik ‘Pavel Shatev’, por 31 prej tyre janë shqyrtuar, ndërkaq, vetëm 2 janë në procedurë gjyqësore.
Kemi ankesa në shumë sfera. Por sfera ku ka më shumë diskriminim është në marrëdhëniet e punës. Veçanërisht në bazë etnike, barazi gjinore, grua-burrë, në bazë të moshës, përkatësi politike, tha Dushko Minovski, Akademia e gjykatësve
Sipas, Neda Calovska-s, nga Komiteti i Helsinkit, më shume ankesa ka në sferën e përkatësisë politike dhe në qasjen e shërbimeve shëndetësore. Sipas saj, numri i ankesave është zvogëluar për shkak të rënies së besueshmërisë së qytetarëve ndaj gjykatave edhe për shkak të krizës politike në vend.
Qytetarët duhet të jenë në vend të parë. Duhet të flasin lirshëm për problemet e tyre. Nuk mungon diskriminimi në bazë etnike, veçanërisht gjendja e romëve; ajo që po ndodh me ta në kufij. Por edhe qasja tek shërbimet shëndetësore, kualiteti i shërbimit në shëndetësi, të drejtat sociale, tha Neda Calovska, Komiteti i Helsinkit
Sipas, OSBE-së, Maqedonia duhet të zbatojë standardet evropiane dhe t’i vendosë ato në praktikë.
Është shumë me rëndësi të kuptohen standardet të cilat i vendosë Konventa dhe praktika evropiane. Por edhe në gjyqet nacionale dhe në prokurorinë publike të gjendet zbatim adekuat,tha Nina Soumalainen, Shefja e OSBE-së
Nga zyra e Avokatit të Popullit thonë se organet shtetërore nuk mbrojnë qytetarët nga diskriminimi. Sipas raportit të tyre, romët dhe shqiptarët janë të diskriminuar në bazë etnike.
