Diplomacia e Papa Françeskut për Ukrainën, një rrugëtim i vështirë politik dhe shpirtëror

TË FUNDIT

Thirrjet e tij për një armëpushim në Ukrainë gjatë Pashkëve ortodokse nuk morën përgjigje. Takimi që kishte planifikuar me kreun e Kishës Ortodokse Ruse u anulua. Po kështu u rrëzua edhe propozimi për një vizitë në Moskë. Madje edhe përpjekja e tij për të demonstruar miqësinë ruso-ukrainase nuk pati rezultat.

Papa Françesku nuk ka arritur të lërë gjurmët e tij diplomatike gjatë luftës së Rusisë në Ukrainë, me sa duket në pamundësi për të shfrytëzuar autoritetin e tij moral, pushtetin e butë apo një linjë drejtpërdrejtë komunikimi me Moskën, për t’i dhënë fund gjakderdhjes apo për të siguruar të paktën një armëpushim.

Në fakt Papa Françesku e ka gjetur veten në pozicionin e pazakontë kur i duhet të shpjegojë refuzimin e tij për ta denoncuar Rusinë apo Presidentin Vladimir Putin me emër – papët nuk bëjnë një gjë të tillë, tha ai – ashtu siç edhe i është dashur të mbrojë marrëdhënien “shumë të mirë” me kreun e Kishës Ortodokse Ruse, i cili e ka justifikuar luftën mbi baza shpirtërore.

Megjithëse lista e gjatë e këtyre rrugëve pa krye mund të dëshmojë për një lloj paefektshmërie, kjo është në linjën e diplomacisë unike të Vatikanit që gërsheton realitetet gjeopolitike me prioritetet shpirtërore, edhe kur ato gjenden në konflikt. I tillë është rasti i Ukrainës. Papa Françesku është përpjekur të shërbejë si udhëheqës shpirtëror për besimtarët në Ukrainë, duke bërë thirrje pa pushim për paqe, duke dërguar kardinalët së bashku me ndihmat humanitare, dhe madje edhe duke propozuar që një anije me flamurin e Vatikanit të evakuojë civilët e bllokuar në qytetin e rrethuar Mariupol.

Por, ai edhe ka mbajtur gjallë politikën afatgjatë të Vatikanit për të shëruar marrëdhëniet me Kishën Ortodokse Ruse, e cila u nda nga Roma së bashku me kishat e tjera ortodokse mbi 1 mijë vite më parë. Deri rishtazi, Papa Françesku shpresonte se do të realizonte një takim të dytë me Partiarkun rus Kirill, edhe ndërsa forcat ruse bombardonin civilët.

Papa Françesku njoftoi së fundmi se takimi i tyre i planifikuar për t’u mbajtur në Jeruzalem në muajin qershor është anuluar, për shkak se diplomatët e Vatikanit menduan se do të dërgonte një mesazh “çorientues”. Por, ai i tha gjithashtu një gazete italiane të martën se kishte ofruar të shkonte në Moskë për t’u takuar me Presidentin Putin, dhe ngriti pikëpyetjen se mos ndoshta zgjerimi drejt lindjes i NATO-s kishte provokuar luftën.

Kritikët vënë në dukje se Papa Françesku vazhdoi të komunikonte me Moskën edhe ndërsa kryheshin mizoritë e raportuara, duke sjellë kështu në mendje paralelizma me heshtjen që mendohet se mbajti Papa Piu XII, i cili kritikohet nga disa grupe hebreje se nuk foli mjaftueshëm kundër holokaustit. Vatikani këmbëngul se diplomacia e qetë e Papa Piut ndihmoi në shpëtimin e jetëve.

“Papa Françesku po bën çfarë të mundet, me prioritetet e duhura, për të ndalur luftën, për të ndalur vuajtjet e njerëzve”, thotë Anne Leahy, e cila ishte ambasadore e Kanadasë në Vatikan gjatë periudhës 2008-2012 dhe ambasadore në Rusi në fund të viteve 1990.

“Por ai po i mban të hapura kanalet e komunikimit me të gjitha mënyrat e mundshme. Edhe nëse nuk ka rezultat, mendoj se ideja është që ta vazhdojë përpjekjen”, thotë ajo.

Zonja Leahy vë në dukje se Papa Françesku duhet të ketë si prioritet madhor objektivin e vendosur nga ungjilli, bashkimin e të krishterëve, dhe se marrëdhëniet me ortodoksët duhet të mbeten parësore.

“Diplomacia është në shërbim të misionit të kishës dhe jo e kundërta”, tha ajo gjatë një interviste nëpërmjet telefonit.

Ndonjëherë, fjalët dhe gjestet e Papa Françeskut duken kontradiktore. Një ditë, ai ulet për një videokonferencë me Partiarkun Kirill, dhe në faqen në internet të Kishës Ortodokse Ruse shfaqet në vend kryesor deklarata ku thuhet se të dyja palët shpresojnë për “një paqe të drejtë”. Tre javë më vonë, ai puth një flamur të dëmtuar ukrainas që e kanë sjellë nga qyteti i Buçës, ku civilët ukrainas u gjetën të vrarë me plumb dhe me duart e lidhura.