Pasi vendi dëboi 5 diplomatë rusë, ministri i jashtëm Bujar Osmani nuk konfirmon në mënyrë të drejtpërdrejt nëse ata lidhen me atë që e tregojnë autoritetet bullgare, se po zbatohen aktivitete për prishjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore mes Maqedonisë dhe Bullgarisë.
“Ky konstatim është i saktë, se ka pasur përpjekje të vazhdueshme që Ballkani Perëndimor të mos lëvizë me dinamikën e duhur drejt BE-së përmes lojtarëve “proksi”, qoftë në rajon, qoftë në shtetet tona, nuk përjashtoj se edhe në vendin tonë ka gjithnjë e më shumë. Siç thashë javën e kaluar, sa më shumë do të rriten mundësitë për gjetjen e zgjidhjes për përshpejtimin e rrugës evropiane, aq më shumë do të ketë njerëz të shqetësuar të cilët tërë kohën kanë punuar që kjo perspektivë të mos ndodhë”, theksoi Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.
Osmani zbulon se ka persona që janë përpjekur ta mbajnë të hapur çështjen me Bullgarinë, duke e ngecur procesin për integrimin evropian, me qëllim, siç thotë ai, rajoni të jetë platforma për realizimin e qëllimeve të tyre.
“Gjatë kësaj jave nga Maqedonia e Veriut persona të caktuara kanë telefonuar në Republikën e Bullgarisë për të thënë se ky angazhim është i panevojshëm për shkak se këtu do të shkohet në zgjedhje, se do të ketë zgjedhje parlamentare, se nuk do të mundet që të arrihet zgjidhje e caktuar. Edhe njerëz në institucione që mendoj se janë në linjën e njëjtë me këta që i përmendi Petkov” tha Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.
Sa i përket Komisionit për çështje historike Osmani tha se ka përparim megjithatë për momentin janë në pikën për futjen e çështjeve të dakorduara që në vitin 2019, në librat shkollorë ndërsa që kanë të bëjnë me personalitetet historike për të cilat është arritur marrëveshje.
“Për momentin flitet nëse ato tekste dhe përmbajtje do t’u rekomandohen shkollave për librat mësimore. Do të thotë se ky është procesi i harmonizimit formal për rekomandimin e përmbajtjeve të dakorduara për kremtim. Nëse do të rekomandohen të njëjtët libra mësimore ose do të ketë formulime të ndryshuara brenda librave mësimore“, pohoi Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.
Osmani tha se me Bullgarinë tani dakordohet periudha në të cilën do të futen bullgarët brenda Kushtetutës duke shtuar se kjo nuk do të ndodhë para fillimit të negociatave me BE-në. Gjatë ditëve në vijim do të mbahet takimi në Bruksel mes ministrave të jashtëm të dy vendeve.
