DIKUR KRITIKONTE VMRO-NË, SOT LSDM VEPRON NJËSOJ, PËRMES SPOTEVE PUBLICITARE LËVDOHET PËR PUNËN E BËRË

TË FUNDIT

Dikur kur ishte në opozitë, LSDM akuzonte VMRO DPMNE-në për reklamat që i bënte nëpër media për punën e bërë.

“Me VMRO-në në Qeveri nuk ka as debate, e ndaluar është dhe ju e keni bë këtë edhe ju e keni bërë këtë presion në mediume.

Ndërsa përmes reklamave i korruptoni dhe i bleni si me kilogram, çfarë reklame është ajo që të qeshin qytetarët”, deklaroi Igor Ivanovski, ish deputet i LSDM-së.

Pesë vjet më vonë, tani LSDM po vepron me të njëjtën strategji duke reklamuar projektet e realizuara në disa media të zgjedhura.

Zëdhënësi i LSDM-së nuk e di se si është bërë përzgjedhja e mediave dhe nuk e di se sa para janë harxhuar për këtë publicitet.

“Nuk e di, në këtë moment nuk kam informatë.

Si janë zgjedhur televizionet për tu reklamuar?

“Sinqerisht nuk e di se si të përgjigjem konkretisht”.

“Shpresoj të kemi metodologji për ti përzgjedhur në bazë të shikueshmërisë, me shumë gjasa ashtu janë zgjedhur”, u shpreh Konstadin Konstadinov, zëdhënës i LSDM-së.

Për reklamat e LSDM-së, reagoi VMRO-DPMNE-së nga ku thonë se shumica e projekteve që po reklamohen janë realizuar në kohën kur qeveriste partia e tyre.

“Nuk e di selektimin dhe në cilat mediume po emitohen reklamat, për të promovuar projektet e njëjta. Ato projekte janë filluar dhe realizuar në qeverinë e kaluar të VMRO-DPMN-së, në mandatin e kaluar”, tha zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski.

Por, a ndikojnë këto reklamime në politikat redaktuese të mediave? Nga SGHM kujtojnë të kaluarën dhe  thonë se në këtë mënyrë po kthehemi mbrapa.

“E dimë çfarë solli në të kaluarën me shfrytëzimin e parave publike në media dhe vlerësojmë se duhet të ketë qasje të kujdesshme dhe të balancuar edhe në fushatat partiake që të mos ndodh që në ndonjë mënyrë të ndikojnë në politikën redaktuese të mediave. Kjo do të thotë kthim mbrapa”, thonë nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë.

Ndryshe, ditëve të fundit nëpër disa media janë emituar spote publicitare, përmes së cilave Qeveria lëvdohet për projektet e realizuara.

Përgatiti Afrim Jonuzi